“Keni ndezur zjarrin e Ungjillit aty ku dukej se po fikej.”
Papa Leoni XIV

Papa Leoni takon 1000 katekistë itinerantë të Ecjes Neokatekumenale
Sot në mëngjes, më 19 janar 2026, Shenjtëria e Tij Papa Leoni XIV, në Sallën e Bekimeve, priti në audiencë më shumë se 1000 katekistë itinerantë, përgjegjës të Ecjes Neokatekumenale në 138 vende të 5 kontinenteve.
Në përfundim të një bashkëtese, e mbajtur në Qendrën “Shërbëtori i Javeut” në Porto San Giorgio (Fermo), nën drejtimin e Ekipit Përgjegjës Botëror të Ecjes — Kiko Argüello, At Mario Pezzi dhe Maria Ascensión Romero — u mblodhën në Romë për takimin e parë me Atin e Shenjtë, Leoni XIV.
Në këtë bashkëtesë, siç ndodh çdo vit që nga fillimi i Ecjes, u ndanë përvojat e ungjillëzimit që Ecja po përparon në mbi 6.200 famulli të 1.408 dioqezave në mbarë botën, me qëllim promovimin e nxënies së krishtere, si një mjet ndihmës për Ipeshkvijtë dhe meshtarët e vendeve të ndryshme në veprën e shpalljes së Ungjillit në botën e sotme.
Të pranishëm në këtë bashkëjetesë dhe në audiencë me Papën ishin edhe 115 Rektorët e Seminarëve Dioqezanë Misionarë që Ecja ka ndihmuar të themelohen në po aq dioqeza, së bashku me njëqind formues të tjerë.
Gjatë bashkëjetesës u bë e qartë, përmes përvojave të ndryshme nëpër kontinente, situata e vështirë në të cilën sot Kisha është e thirrur të kryejë misionin e saj. Në këtë kontekst botëror, u pa qartë se Ecja Neokatekumenale është e thirrur të japë një kontribut për paqen dhe pajtimin ndërmjet njerëzve, duke sjellë shpresën e shpalljes së lajmit të mirë — të kerigmës — përmes formimit të bashkësive të krishtera të afta për të dhënë shenja besimi për këtë brezni: dashuri dhe njësi.
Mbërritja dhe dalja i Papës u shoqërua nga një duartrokitje e madhe e gëzueshme dhe këngë të Kiko Argüellos, të cilat e gjithë asambleja i këndoi me entuziazëm.
Kiko i dhuroi Atit të Shenjtë një kopje të ikonës së Bariut të Mirë, të pikturuar prej tij më 1982, dhe, bashkë me të, pasi Papa ka në program një vizitë në Spanjë muajt e ardhshëm, ia dhuroi edhe një publikim ku flitet për katedralen e Madridit, Nuestra Señora de la Almudena, ku Kiko më 2004 ka pikturuar Kurorën Misterike dhe vitraxhe (xhamat e ngjyrosur) të absidës.
Papa Leone iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë:
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për familjet, të cilat, duke pranuar nxitien e brendshme të Shpirtit, lënë sigurinë e jetës së zakonshme dhe nisen në mision, edhe në territore të largëta dhe të vështira, me dëshirën e vetme për të shpallur Ungjillin dhe për të qenë dëshmitarë të dashurisë së Zotit.
Ekipet itinerante të përbëra nga familje, katekistë dhe meshtarë marrin pjesë në misionin ungjillëzues të të gjithë Kishës dhe… ndihmojnë për të “zgjuar” fenë e atyre që «nuk janë të krishterëve që nuk kanë dëgjuar kurrë të flitet për Jezu Krishtin».
Të jetosh përvojën e Ecjes Neokatekumenale dhe të çosh përpara misionin, kërkon gjithashtu nga ana juaj një vigjilencë të brendshme dhe një aftësi të urtë për të dalluar, për të njohur disa rreziqe që gjithmonë janë në pritje në jetën shpirtërore dhe kishtare.
Karizmat duhet të vihen gjithmonë në shërbim të mbretërisë së Zotit dhe të Kishës së vetme të Krishtit, në të cilën asnjë dhuratë e Zotit nuk është më e rëndësishme se tjetra.
E mira që bëni është shumë, por qëllimi i saj është të ndihmojë njerëzit të njohin Krishtin.
Ecni përpara me gëzim dhe me përvujtëri, pa u mbyllur, si ndërtues dhe dëshmitarë të bashkimit.
Të dashur, ju falënderoj për angazhimin tuaj, për dëshminë tuaj plot gëzim, për shërbimin që kryeni në Kishë dhe në botë. Ju inkurajoj të vazhdoni me entuziazëm dhe ju bekoj, ndërsa po kërkoj ndërmjetësimin e Virgjërës Mari që t’ju shoqërojë dhe t’ju mbrojë. Faleminderit!

FJALIMI I SHENJTNISË SË TIJ PAPA LEONI XIV
PËR PËRGJEGJËSIT E ECJES NEOKATEKUMENALE
Salla e Bekimeve
E hënë, 19 janar 2026
Në Emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt.
Paqja qoftë me ju!
Vëllezër dhe motra të dashur, queridos hermanos y hermanas, mirëdita dhe mirëseerdhët!
Jam i gëzuar që ju takoj kaq të shumtë. Përshëndes anëtarët e Ekipit Ndërkombëtar të Ecjes Neokatekumenale: Kiko Argüello, María Ascensión Romero dhe atë Mario Pezzi, si edhe ipeshkvijtë dhe meshtarët që ju shoqërojnë.
Një mendim i veçantë shkon për familjet e pranishme këtu, si shprehje e dëshirës suaj misionare dhe e asaj dëshire që duhet të gjallërojë gjithmonë gjithë Kishën: të shpallë Ungjillin në gjithë botën, që të gjithë të njohin Krishtin.
Pikërisht kjo dëshirë ka qenë gjithmonë frymëzimi i Ecjes Neokatekumenale dhe vazhdon të jetë burimi i karizmës së saj dhe i veprave të ungjillizimit e të katekizat që përbëjnë një kontribut të çmuar për jetën e Kishës. Të gjithëve, veçanërisht atyre që janë larguar ose atyre që u është dobësuar besimi, ju u ofroni mundësinë e një ecje shpirtërore për të rizbuluar kuptimin e Pagëzimit, në mënyrë që të njohin dhuratën e hirit që kanë marrë dhe kështu thirrjen për t’u bërë nxënës të Zotit dhe dëshmitarë të tij në botë.
Të frymëzuar nga ky shpirt, keni ndezur zjarrin e Ungjillit aty ku dukej se po shuhej dhe keni shoqëruar shumë persona dhe bashkësi të krishtera, duke i zgjuar në gëzimin e besimit, duke i ndihmuar të rizbulojnë bukurinë e njohjes së Jezusit dhe duke favorizuar rritjen e tyre shpirtërore dhe angazhimin e tyre në dëshmi.
Në mënyrë të veçantë, përveç formuesve dhe katekistëve, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për familjet, të cilat, duke pranuar nxitien e brendshme të Shpirtit, braktisin sigurinë e jetës së zakonshme dhe nisen në mision, edhe në vende të largëta dhe të vështira, me dëshirën e vetme për të shpallur Ungjillin dhe për të qenë dëshmitarë të dashurisë së Zotit. Në këtë mënyrë, ekipet itinerante të përbëra nga familje, katekistë dhe meshtarë, marrin pjesë në misionin ungjillëzues të gjithë Kishës dhe, siç shprehej Papa Françesku, ndihmojnë për të “zgjuar” fenë e atyre që «nuk janë të krishterë dhe që nuk kanë dëgjuar kurrë të flitet për Jezu Krishtin», por edhe të shumë të pagëzuarve që, megjithëse janë të krishterë, «kanë harruar […] kush është Jezu Krishti» (Fjala drejtuar anëtarëve të Ecjes Neokatekumenale, 6 mars 2015).
Të jetosh përvojën e Ecjes Neokatekumenale dhe të çosh përpara misionin, kërkon gjithashtu nga ana juaj një vigjilencë të brendshme dhe një aftësi të mençur për të dalluar, për të njohur disa rreziqe që gjithmonë fshihen në jetën shpirtërore dhe bashkësore.
Ju u propozoni të gjithëve një udhëtim për rizbulimin e Pagëzimit, dhe ky Sakrament, siç e dimë, duke na bashkuar me Krishtin, na bën gjymtyrë të gjalla të trupit të tij, popullit të tij të vetëm, familjes së tij të vetme. Duhet ta kujtojmë gjithmonë se jemi Kishë, dhe se, nëse Shpirti i Shenjtë i jep secilit një deftim të veçantë, ajo jepet – siç na kujton Apostulli Pal – «për të mirën e përbashkët» (1 Kor 12,7), pra në funksion të vetë misionit të Kishës. Karisma duhet të vihen gjithmonë në shërbim të mbretërisë së Zotit dhe të Kishës së vetme të Krishtit, brenda së cilës asnjë dhuratë e Zotit nuk është më e rëndësishme se të tjerat – përveç dashurisë, e cila i përsos dhe i harmonizon të gjitha – dhe asnjë shërbesë nuk duhet të bëhet shkak për t’u ndier më i mirë se vëllezërit, apo për të përjashtuar ata që mendojnë ndryshe.
Për këtë arsye, ju ftoj edhe juve, që keni takuar Zotin dhe jetoni ndjekjen e tij në Ecjen Neokatekumenale, të jeni dëshmitarë të kësaj njësie. Misioni juaj është i veçantë, por jo ekskluziv; karisma juaj është e veçantë, por sjell fryte në bashkësi me dhuratat e tjera që janë të pranishme në jetën e Kishës; e mira që bëni është shumë e madhe, por qëllimi i saj është të ndihmojë njerëzit të njohin Krishtin, gjithmonë duke respektuar ecjen e tyre të jetës dhe ndërgjegjen e secilit.
Si rojtarë të kësaj njësie në Shpirtin, ju nxis të jetoni përshpirtërinë tuaj pa u shkëputur kurrë nga pjesa tjetër e trupit kishtar, si pjesë e gjallë e vepres baritore të zakonshme të famullive dhe të realiteteve të ndryshme të saj, në bashkim të plotë me vëllezërit dhe veçanërisht me meshtarët dhe ipeshkvijtë.
Kisha ju shoqëron, ju mbështet, dhe është mirënjohëse për atë që bëni. Njëkohësisht, ajo i kujton të gjithëve se: «aty ku është Shpirti i Zotit, atje është liria» (2 Kor 3,17). Prandaj, shpallja e Ungjillit, katekiza dhe format e ndryshme të veprimit baritor duhet të jenë gjithmonë të lira nga forma imponimi, ngurtësimi dhe moralizmi, që të mos ndodhë që ato të ngjallin ndjenja faji dhe frike në vend që të sjellin çlirim të brendshëm.
Të dashur, ju falënderoj për angazhimin tuaj, për dëshminë tuaj të gëzueshme, për shërbimin që jepni në Kishë dhe në botë. Ju inkurajoj të vazhdoni me entuziazëm dhe ju bekoj, ndërsa thërras ndërmjetësimin e Virgjërës Mari mbi ju, që ajo t’ju shoqërojë dhe t’ju ruajë. Faleminderit!
