Kiko Argüello

Kiko Argüello

Francisco José Gómez Argüello Wirtz lind në León (Spanjë) më 9 janar 1939, i biri i José Gómez de Argüello Díaz-Canseco dhe Pilar Wirtz Suárez-Guisasola, i pari ndër katër vëllezër. Në moshën dyvjeçare prindërit e tij shpërngulen në Madrid. Studion në Shkollën Qendrore të Arteve të Bukura, pranë Akademisë së San Fernando-s në Madrid, duke marrë titullin profesor vizatimi. Merr pjesë në ekspozita dhe konkurse të shumta pikture në Spanjë. Në vitin 1959 merr Çmimin Kombëtar të Jashtëzakonshëm të Pikturës së Rinisë, me pikturën: “La espera (Pritja)”.

Në fund të viteve ’50, përjeton një krizë ekzistenciale që e çon në një takim të thellë me Jezu Krishtin, duke e shtyrë t’ia kushtojë jetën dhe artin e tij Krishtit dhe Kishës, duke ndryshuar edhe përmbajtjen e artit të tij. Më 8 dhjetor 1959, në orët e para të pasdites, ndërsa ndodhet në shtëpinë e prindërve të tij, ndien një shtysë të tërhiqet në dhomën e tij të vogël për një çast lutjeje dhe aty ndien praninë e Virgjërës Mari, me fëmijën në krahë, e cila i beson një mesazh: “Duhet të krijohen bashkësi të krishtera si Familja e Shenjtë e Nazaretit, që të jetojnë në përvujtëri, thjeshtësi dhe lavd. Tjetri është Krishti”. Mesazhi e befason dhe do të bëhet boshti kryesor i gjithë jetës së tij.

Në vitin 1960, në prag të Koncilit Ekumenik II të Vatikanit, i cili do të shënojë thellësisht jetën e tij si i krishterë dhe si artist, së bashku me At Aguilar OP, ndërmerr një udhëtim nëpër Evropë, për të studiuar artin e shenjtë dhe për të njohur marrëdhënien midis artit katolik dhe atij protestant në prag të thirrjes së Koncilit. Së bashku me skulptorin José Luis Alonso Coomontes dhe artizanin e vitrazheve Carlos Muñoz de Pablos, formon një grup për kërkimin dhe zhvillimin e Artit të shenjtë, “Gremio 62”, dhe realizon një sërë ekspozitash në Madrid, në Royan (Francë) dhe në Hagë (Holandë)…. Jeta e tij në këto vite është tashmë e shënuar nga apostullati si Profesor i Cursillos de Cristiandad.

Duke dëgjuar një fjalim të Papës Shën Gjoni XXIII, i cili fliste për Kishën e të varfërve, pati intuitën se ripërtëritja e Kishës do të vinte nga të varfërit dhe kështu, në vitin 1964, braktis karrierën e tij si piktor dhe, duke ndjekur gjurmët e Shën Charles de Foucauld, për të jetuar jetën e fshehtë të Jezusit në Nazaret, vendos të shkojë mes më të varfërve, në një barakë në Palomeras Altas, në periferi të Madridit. Rreth tij mblidhet një grup ciganësh, quinquis, të varfërish…, këta do të jenë bërthama e bashkësisë së parë neokatekumenale.

Në Palomeras njeh Carmen Hernández-in, e cila sapo është kthyer nga Izraeli dhe që, nëpërmjet liturgjistit spanjoll At Pedro Farnés, është në kontakt me gjithë reformën liturgjike të Koncilit II të Vatikanit. Carmen mbetet shumë e prekur nga bashkësia e të varfërve që gjen në Palomeras dhe vendos të qëndrojë për të jetuar aty, mes tyre, në një barakë jo shumë larg.

Me kërkesën e vetë të varfërve me të cilët jetojnë, Kiko dhe Carmen fillojnë të shpallin Ungjillin e Jezu Krishtit dhe, pak nga pak, me kalimin e kohës, Zoti i çoi drejt një sinteze teologjiko-katekistike, të bazuar në Fjalën e Hyjit, në Liturgji dhe në Bashkësi, për t’i udhëhequr njerëzit drejt bashkimit vëllazëror dhe drejt një feje të pjekur.

Kjo ecje e re e nxënies së krishterë zgjon interesin e Arqipeshkvit të Madridit, Imzot Casimiro Morcillo-s. Ai merr dijeni për të sepse më 28 gusht 1965, një urdhër i qeverisë dërgon Guardia Civil për të shembur barakat e Palomeras Altas. Atëherë Kiko thërret në ndihmë Arqipeshkvin, i cili ndalon shembjen, sheh atë që Kiko dhe Carmen-i po bëjnë mes të varfërve dhe i inkurajon ta çojnë këtë përvojë të ungjillëzimit në famulli të tjera të Madridit. Dhe kështu fillojnë edhe në Zamora dhe në Avilë (1965-67).

Në Avilë njeh shërbëtorin e Hyjit, Imzot Dino Torreggian.-ni, themeluesin e Shërbëtorëve të Kishës, i cili i fton të shkojnë në Romë. Në vitin 1968 shkojnë në Romë, me një letër të Arqipeshkvit të Madridit, Imzot Casimiro Morcillo-s, drejtuar Vikarit të Papës, Kardinalit Angelo Dell’Acqua. Këtu Kiko fillon misionin e tij në barakat e Borghetto Latino-s. Midis shtatorit dhe nëntorit, në Romë, Kiko dhe Carmen-i, të shoqëruar nga Meshtari Don Francesco Cuppini, pasi marrin lejen nga Kardinali Vikar, bëjnë katekezë dhe lind bashkësia e parë neokatekumenale në Famullinë e Martirëve Kanadezë.

Gjithë ky pasion për ungjillëzim që Kiko dhe Carmen-i e çojnë përpara, gjithmonë të shoqëruar nga një Meshtar – At Francesco Cuppimi, deri në vitin 1971, pastaj Jesús Blazquez, një meshtar spanjoll, dhe që nga viti 1971 për katekezat në Itali dhe që nga viti 1982 në mënyrë të përhershme, At Mario Pezzi –, mbledh rreth Kiko-s dhe Carmen-it meshtarë, çifte dhe beqarë që ndihen të thirrur si itinerantë dhe vihen në dispozicion për të shkuar në çdo pjesë të botës, ku ka kërkesa për katekezë, për të çuar të njëjtën mënyrë të nxënies së krishterë.

Fillojnë një veprimtari të dendur katekistike, me dëshirën për të sjellë ripërtëritjen e Koncilit II të Vatikanit në Famulli dhe, pak nga pak, strukturohen si një ecje e nxënies së krishterë paspagëzimore. Pas dëgjimit të një shpalljeje dhe të katekezave, ata vihen “në ecje” në një bashkësi neokatekumenale për të rizbuluar, nëpër etapa, sakramentin e pagëzimit. Bashkësi të vogla, si Familja e Shenjtë e Nazaretit, që dëshirojnë të jetojnë në përvujtëri, thjeshtësi dhe në një frymë lavdërimi, ku tjetri është Krishti. Bashkësitë nuk lindin nga vullneti i të bashkuarve, por nga ata që, në përfundim të dy muajve të katekezave kerigmatike, ndihen të thirrur në një ecje të rritjes graduale dhe përparimtare të farës së Pagëzimit të tyre: një ndryshim ekzistencial i jetës, me një shtatzëni ndaj jetës hyjnore në ne. Kështu, ashtu si në Kishën e hershme, të krishterët, nëpërmjet një ecjeje të shtatzënisë ndaj fesë, bëjnë të dukshme në një bashkësi veprën e shpëtimit që Hyji po kryen në ta; një bashkësi, Trupi i Krishtit të Ngjallur, që bën të pranishme dashurinë dhe bashkimin: shenjat që mund t’i tërheqin paganët drejt fesë. Kjo është një mënyrë e zbatimit të Koncilit II të Vatikanit dhe e asaj që Koncili priste kur e paraqiste Kishën si dritë, kripë dhe tharm. Një mënyrë që e ndihmon famullinë në mënyrë profetike të kalojë nga një baritore e themeluar mbi sakramentet në një baritore të ungjillëzimit. Në një shoqëri të shekullarizuar, bashkësitë neokatekumenale jetojnë në Kishë, Popull i Hyjit, si sakrament shpëtimi, si dritë në mes të kombeve.

Temperamenti artistik i Kiko-s, përvoja e tij ekzistenciale dhe formimi i tij si katekist në Cursillos de Cristiandad, së bashku me përgatitjen teologjike të Carmen-it, pasionin e saj për ungjillëzim dhe njohjen e lëvizjes së ripërtëritjes së Koncilit II të Vatikanit, do të jenë bazat e Ecjes Neokatekumenale.

Kjo vepër merr bekimin e saj të parë zyrtar gjatë Udiencës së 8 majit 1974, me fjalët e Papës, Shën Palit VI: “«Sa gëzim dhe sa shpresë na jepni me praninë tuaj dhe me veprimtarinë tuaj!»“, dhe një konfirmim shumë të çmuar gjatë audiencës së 12 janarit 1977, me fjalimin e Papës kushtuar tërësisht Ecjes Neokatekumenale; në përfundim të udiencës Papa pret privatisht Kiko-n dhe Carmen-in dhe Kikos i thotë: “Ji i përvujtë dhe besnik ndaj Kishës dhe Kisha do të jetë besnike ndaj teje”, ndërsa Carmen-it, e gjunjëzuar para tij, i vendos dorën mbi kokë.

Kiko dhe Carmen-i, gjithmonë shumë të vëmendshëm dhe besnikë ndaj Magjisterit të Kishës, pas Fjalimit të Shën Gjon Palit II në Simpoziumin VI të Këshillit të Konferencave Evropiane (11 tetor 1985), i cili e thërriste Kishën në një “Ungjillëzim të Ri”, ndihen të nxitur, nga njëra anë, të fillojnë në vitin 1986 një mënyrë të re ungjillëzimi, duke thirrur familjet, me fëmijët e tyre dhe, nga ana tjetër, të hapin Seminare, të cilat do të jenë Dioqezane dhe Misionare, ndërkombëtare, që do të marrin emrin Redemptoris Mater. Më 14 shkurt 1988, me mbështetjen e Atit të Shenjtë, Kardinali Vikar Ugo Poletti themelon në Romë Seminarin e parë Dioqezan Misionar Redemptoris Mater.

Sot janë 116 Seminare Dioqezane Misionare në 5 kontinente, me më shumë se 3000 meshtarë tashmë të shuguruar. Janë udhëtime të palodhura misionare, me bashkësitë e shumta të lindura në shumë kombe dhe gjithashtu me takime të turmave të të rinjve, si për të nxitur thirrjet për jetën meshtarake dhe rregulltare, ashtu edhe për të përfshirë dhe për të thirrur vetë familjet, me fëmijët e tyre, që t’i ofrohen ungjillëzimit të botës së sotme.

Një dhuratë e veçantë i bëhet më pas Ecjes më 30 gusht 1990, me Letrën “Ogniqualvolta”, drejtuar Imzot Paul Josef Cordes-it, të ngarkuarit “ad personam” për Bashkësitë Neokatekumenale: Papa Shën Gjon Pali II e njeh “Ecjen Neokatekumenale si një itinerar formimi katolik, të vlefshëm për shoqërinë dhe për kohët e sotme”.

Dhe dy hapa formalë dhe vendimtarë do të ndërmerren në vitin 2002, me Dekretin e Miratimit “ad experimentum” të Statutit të Ecjes Neokatekumenale, nga ana e Këshillit Papnor për Laikët, me porosi të Papës, Shën Gjon Palit II, dhe në vitin 2008 (11 maj, e kremtja e Rrëshajëve), me miratimin përfundimtar të Ecjes, të konfirmuar nga Papa Benedikti XVI, si një “mënyrë e zbatimit dioqezan të Nxënies së Krishterë” (Statutet, neni 1,2). Pas kësaj, më 26 dhjetor 2010, do të vijojë edhe miratimi zyrtar i “Direktorit të Ecjes Neokatekumenale”, domethënë i teksteve të katekezave të Kiko-s dhe Carmen-it që shoqërojnë ecjen neokatekumenale. Më pas, më 8 janar 2012, do të vijojë miratimi i kremtimeve të Direktorit Kateketik dhe në vitin 2014 konfirmimi nga Papa Françesku, nëpërmjet Sekretarisë së Shtetit, i praktikës liturgjike dhe i Statuteve të Ecjes Neokatekumenale.

Kiko, me ftesë të Atit të Shenjtë, ka marrë pjesë si vëzhgues në sinode të ndryshme:
  1. Në vitin 1983, në Sinodin mbi Pendimin dhe pajtimin në misionin e Kishës;
  2. Në vitin 1987, në Sinodin mbi Thirrjen dhe misionin e laikëve në Kishë dhe në botë;
  3. Në vitin 1999, në Asamblenë II të posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve për Evropën;
  4. Në vitin 2005, në Asamblenë XI të Përgjithshme të Rregullt të Sinodit të Ipeshkvijve, mbi Eukaristinë;
  5. Në vitin 2008, në Asamblenë XII të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve mbi Fjalën e Hyjit;
  6. Në vitin 2012, në Sinodin mbi Ungjillëzimin e ri për transmetimin e fesë së krishterë.

Për më tepër, në vitin 1990 Papa Shën Gjon Pali II e emëroi atë këshilltar të Këshillit Papnor për Laikët, me një mandat prej 5 vitesh; emërimi u rinovua në vitin 1996 dhe në vitin 2001; në vitin 2008 u konfirmua nga Papa Benedikti XVI; dhe në vitin 2014 nga Papa Françesku: domethënë, nga viti 1990 deri në vitin 2019 ishte pjesë e Dikasterit për Laikët.

Në vitin 2011, Papa Benedikti XVI e emëroi atë këshilltar të Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, me një mandat prej 5 vitesh.

Ndërhyrjet e Kikos, me rastin e dhënies së Doktoraturave dhe të ndërhyrjeve në Sinode, kanë qenë një mundësi për të shprehur gjithë pasurinë teologjike, përveç asaj shpirtërore, të veprës që Zoti ka dashur të ngjallë dhe për të ripropozuar misionin e familjes në Kishë, shpalljen e kerigmës në ungjillëzimin e ri, një estetikë të re në Kishë, nxitjen e marrëdhënieve të miqësisë me Popullin hebre në dritën e “Nostra aetate”; ose edhe: misionin meshtarak të besimtarëve të krishterë, qendërsinë e Eukaristisë dhe të Fjalës së Hyjit në Nxënien dhe në formimin e krishterë, urgjencën e transmetimit të fesë fëmijëve, nevojën për të rizbuluar fytyrën e vërtetë të Famullisë dhe, në të, vëmendjen që e gjithë Kisha është e thirrur t’u kushtojë Realiteteve të Reja Kishtare, Ecjen Neokatekumenale, një ecje të Nxënies së Krishterë në dhe për famullitë…

Thirrjes që i bëri gjithë Kishës Shën Gjon Pali II për ungjillëzimin e ri në vitin 1985, Kiko dhe Carmen-i i përgjigjen duke u bërë thirrje familjeve, me fëmijët e tyre: kështu lindën “missio ad gentes”, bërthama familjare (prindër dhe fëmijë) që shkojnë të jetojnë në zona që kanë nevojë për një prani dhe një dëshmi të krishterë, të thirrura nga vetë ipeshkvijtë, të cilët u besojnë atyre, të shoqëruara nga një meshtar, një “missio” të vërtetë. Sot janë të pranishme në 64 Kombe, ku janë formuar 220 missio ad gentes, dhe falë vëmendjes së kërkuar nga Papa Françesku ndaj periferive, veçanërisht të qyteteve të mëdha, janë përgjigjur duke ftuar bashkësi të tëra, që e kanë përfunduar ecjen neokatekumenale, t’i ofrohen misionit, të dalin nga famullia e tyre dhe të shkojnë në një tjetër, atje ku Ipeshkvi ose Famullitari kërkojnë një prani të krishterë: disa “Communitates in missionem” janë dërguar kështu në periferitë e Romës, Madridit dhe të shumë qyteteve të tjera.

Rikrijimi sot i një ecjeje të nxënies së krishterë, e cila nga njëra anë të mbledhë gjithë pasurinë e Katekumenatit të hershëm dhe nga ana tjetër të rrënjoset në shoqërinë dhe në Kishën e sotme, e vëmendshme ndaj gjithë ripërtëritjes së kërkuar nga Koncili, kërkon një hir dhe aftësi vërtet gjeniale, me të cilat Zoti i ka dhuruar Kiko-s dhe Carmen-it që, së bashku me sintezën teologjiko-katekistike, shtrihen nga hapësirat dhe elementet liturgjike, te piktura, te muzika…

Zoti i sugjeron para së gjithash Kiko-s të rimendojë hapësirën kremtuese të përshtatshme për bashkësinë: një estetikë e re që nga bashkësia zgjerohet në të gjithë famullinë, drejt një modeli të ri famullie. Kështu rimerr asamblenë liturgjike: duke studiuar pagëzimoret e Kishës së hershme, ndërton në qendër të hapësirës liturgjike vaskën pagëzimore që mundëson pagëzimin me zhytje – si shenjë më e përshtatshme e asaj që kremton ky sakrament dhe sipas udhëzimeve të Koncilit –, vendos tryezën në një pozicion më qendror dhe në muret që e rrethojnë, krijon dhe pikturon një “kurorë mistike”, tablo pikturash që bëjnë të pranishme misteret e mëdha të historisë së shpëtimit, sipas kanonit të Kishës Ortodokse, piktura të cilave u zbaton gjithashtu kanonet dhe njohuritë e tij për artin modern. Për gjithë këtë vepër shfrytëzon edhe bashkëpunimin e arkitektëve dhe piktorëve të tjerë, duke krijuar pikërisht rreth vetes një shkollë të vërtetë.

Së bashku me hapësirat liturgjike, në mënyrë që bashkësitë të mund ta ndërmarrin këtë ecje graduale formimi dhe të mund të marrin pjesë plotësisht në Liturgji, Kiko krijon muzikën e shumë psalmeve dhe pjesëve të tjera të Shkrimit të Shenjtë, si edhe himneve të Kishës së hershme, ose poezive të autorëve shpirtërorë, apo edhe pjesëve të marra nga shkrimet e tij.

Ekziston edhe një tjetër pikë e rëndësishme për t’u theksuar dhe që tregon të gjithë marrëdhënien e dëgjimit krijues që Kiko dhe Carmen-i kanë pasur ndaj Magjisterit të Papës: në fjalimin drejtuar Kurisë Romake, më 21 dhjetor 2009, Papa Benedikti hedh idenë e një “Oborri të Popujve (Cortile dei Gentili)” për të krijuar një hapësirë dialogu të hapur për të gjithë, besimtarë dhe jobesimtarë, përballë sfidave bashkëkohore: Kiko i përgjigjet duke themeluar Orkestrën Simfonike të Ecjes Neokatekumenale dhe duke kompozuar në vitin 2010 një simfoni: “Vuajtja e të pafajshmëve”, një kompozim muzikor, që në një mënyrë kremtuese dhe katekistike, paraqet vuajtjen e të pafajshmëve, e cila është ekzekutuar në mbarë botën: në teatrot kryesore, sallat e koncerteve, sheshet dhe katedralet: Jerusalem, Romë, Madrid, New York, Chicago, Budapest, Tokio, Berlin, Lublin, Auschwitz … Dhe në vitin 2023 kompozon një simfoni të dytë, në tri kohë, me titull: “El Mesias”. Të dyja simfonitë u ekzekutuan së bashku të dielën, më 1 qershor 2025, në Auditorin “Parco della Musica Ennio Morricone” të Romës, në Sallën Santa Cecilia, me rastin e Jubileut të Familjeve. Vepra do të ekzekutohet më pas edhe në Xhaminë-Katedrale të Kordobës, në Oviedo dhe në Katedralen e Toledos.

E gjithë kjo është nxitur nga Shpirti i Shenjtë për t’iu përgjigjur urgjencës së ungjillëzimit të botës moderne, sipas udhëzimeve të Papëve dhe të Koncilit.

Tani mund t’i kushtojmë pak vëmendje, në mënyrë të hollësishme, gjithë kësaj vepre të nxitur nga Shpirti i Shenjtë.

Arkitektura dhe Piktura

Kiko Argüello, së bashku me Carmen Hernández-in, në gjurmët e Koncilit, ofron një ripërtëritje të plotë: nga arkitektura te ikonografia, nga hapësirat kremtuese dhe ato të takimit mes njerëzve, atë që ai e ka quajtur Katekumenium, me të gjitha shenjat, ashtu siç po merr formë tashmë në Ecje, domethënë Selia e Kryesuesit, Amboni, Tryeza në Qendër, Burimi Pagëzimor…

Kështu e gjejmë veprën artistike të Kikos në famulli të ndryshme:

–  La Paloma (Madrid)

–  San Bartolomeo in Tuto në Firenze

–  Shën Catalina Labouré (Madrid)

–  Familja e Shenjtë (Oulu – Finlandë)

–  Katedralja e Zojës Sonë e Arabisë  – Bahrein

Në kisha/famulli të tjera, pikturon cikle pikturash, me “Kurora mistike” dhe “Retablo”, të destinuara për të lartësuar festat liturgjike, sipas traditës lindore.

–  Katedralja e Madridit (absidi dhe kapela Nuestra Sra. del Camino)

–  Afreske në Famullinë Santiago (Avilë)

–  Në Romë: Kripta dhe salla e Famullisë së Martirëve Kanadezë, Shën Francesca Cabrini, Shën Luigji Gonzaga, Lindja e Krishtit (Natività)

– Salla Liturgjike në Famullinë Shën Frontis (Zamora)

– Në Madrid: Kisha dhe salla e Ntra Sra. del Tránsito, Shën Jozefi, Shën Sebastiàni, La Paloma, [MR1.1]Shën Roque

– Salla e Famullisë Buone Nouvelle (Paris)

Së bashku me shkollën e pikturës, të krijuar prej tij, realizon cikle të ndryshme pikturash:

– Famullia e Trinisë së Shenjtë (Piacenza)

– Famullia Shën Gjon Pagëzuesi (Perugia)

– Famullia e Trinisë së Shenjtë, (S. Pedro del Pinatar Murcia)

– Famullia Shën Maksimiliani M. Kolbe (Romë)

– Kisha Shën Françesk Ksavieri (Shangai – Kinë)

– Famullia El Pilar (Valdemoro – Madrid)

– Famullia Virgjëresha e Shëndetit në Poetto (Cagliari

– Kishat e Troinës, Mestres, Veronës, etj.

– Kisha e Manastirit Karmelitan Shën Jozefi (Mazarrón-Murcia)

Qendra Neokatekumenale

Përveç kishave dhe sallave liturgjike të famullive, krijon qendra neokatekumenale dhe shtëpi për bashkëjetesa: vende takimi midis katekistëve të Ecjes, vëllezërve dhe dioqezave:

– Qendra Neokatekumenale e Madridit dhe e Romës

– Qendra Neokatekumenale Shërbëtori i Jahveut  (Porto San Giorgio), vend takimi dhe dërgimi i misionarëve itinerantë në kombe. Në vitin 1988 Shën Gjon Pali II do të kremtojë Eukaristinë dhe do të dërgojë familjet e para në mision. Në këtë qendër, krijon Shenjtëroren e parë të Fjalës, vend për studimin dhe shqyrtimin e Shkrimeve, të zbukuruar me një vitrazh origjinal.

Qendra Ndërkombëtare “Domus Galilaeae”, në Malin e Lumturive në Tokën e Shenjtë. Duke pranuar intuitën e Carmen Hernández-it për të ngritur një qendër formimi për meshtarët dhe katekistët në Tokën e Shenjtë, krijon dhe ndërton Domus Galilaeae. Shën Gjon Pali II – i cili do t’i vizitojë dhe do t’i bekojë punimet e kësaj shtëpie në vitin 2000 – shpresonte që kjo shtëpi “të mund të favorizonte një formim të thelluar fetar dhe një dialog frytdhënës midis judaizmit dhe Kishës Katolike”. Dëshmi për gjithë këtë janë mijëra vizita si nga hebrenjtë ashtu edhe nga palestinezët – të cilët mbeten të prekur nga bukuria dhe mikpritja e Shtëpisë – si edhe bashkëjetesat ndërkombëtare të ipeshkvijve dhe madje edhe të rabinëve.

– Shtëpi bashkëjetesash dhe qendra neokatekumenale në vende të ndryshme të Amerikës Latine, Afrikës, Evropës.

Seminaret Redemptoris Mater

Zoti frymëzon Kiko-n dhe Carmen-in për nevojën për ta ndihmuar Kishën në këtë ripërtëritje, duke themeluar, së bashku me Shën Gjon Palin II, Seminarin e parë Dioqezan Misionar Redemptoris Mater në Romë, i ndjekur më pas nga ipeshkvij të tjerë, të cilët do të hapin një Seminar Redemptoris Mater në Dioqezat e tyre, deri në 116. Kiko projekton modelin arkitektonik të shumë prej këtyre seminareve:

– Seminari Redemptoris Mater i Maceratës

– Seminari Redemptoris Mater i Medellínit (Kolumbi)

– Seminari Redemptoris Mater i Brazilias (Brazil)

– Seminari Redemptoris Mater i Varshavës (Poloni)

– Seminari Redemptoris Mater i Managuas (Nikaragua)

– Seminari Redemptoris Mater i Galilesë. Në krye të këtij vendi domethënës ndodhet grupi i skulpturave të Krishtit me apostujt

– Seminari Redemptoris Mater i Denverit (SHBA)

– Seminari Redemptoris Mater i Avinjonit (Francë)

– Seminari Redemptoris Mater i Kosta Rikës

– Kisha e Seminareve Redemptoris Mater të Romës dhe Madridit

Disiplina të tjera artistike

Përveç këtyre veprave të arkitekturës, pikturës dhe skulpturës, Kiko merret edhe me disiplina të tjera artistike: vitrazhe, sixhade liturgjike dhe objekte argjendarie, si kryqe, kelkë, mbulesa për Bibla, Evangjeliarë, etj., gjithmonë me perspektivën për t’i shërbyer bashkësisë së krishterë në ecjen e saj të fesë.

– Vitrazhe në Katedralen e Madridit (Spanjë)

– Vitrazhe në Qendrën Ndërkombëtare Porto S. Giorgio (Itali)

– Vitrazhe në seminaret e Romës, Madridit

– Vitrazhe në Domus Galilaeae (Izrael).

Dëshirojmë të paraqesim në mënyrë të veçantë dy publikime:

– “Kerigma, në baraka me të varfërit”, Chirico, 2023: me parathënien e Kardinalit Antonio Cañizares, Prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe të Kardinalit Christoph Schönborn, Kryeipeshkëv i Vjenës: ku tregohet përvoja e Kikos mes të varfërve dhe shpallja e kerigmës. Botuar në shqip, spanjisht, italisht, portugalisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, japonisht, hungarisht, polonisht, rusisht, arabisht, në gjuhën koreane, në gjuhën kineze.

– “Annotazioni – 1988-2014”, me parathënien e Kardinalit Ricardo Blazquez, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Spanjolle – Cantagalli, 2016: një përmbledhje poezish dhe lutjesh intime të vetë Kiko-s. Botuar në: spanjisht, italisht, portugalisht, frëngjisht, anglisht, kroatisht, gjermanisht, holandisht, rusisht dhe polonisht.

Mirënjohjet publike të marra nga Kiko:

– Çmimi i Ministrisë së Turizmit të Izraelit për angazhimin e tij të vazhdueshëm në sjelljen e të krishterëve nga e gjithë bota në Tokën e Shenjtë (Jerusalem 2005).

– Doktoratura “honoris causa”, dhënë nga Instituti Papnor Gjon Pali II, për “vlerësimin e plotë të familjes si subjekt kishtar dhe shoqëror, në përputhje të plotë me doktrinën e Gjon Palit II, për pranimin pa rezerva të Enciklikës profetike të Palit VI Humanae Vitae nga familjet e Ecjes dhe për hapjen në familje të një liturgjie shtëpiake për t’ua trashëguar fenë brezave të rinj (Romë 2009).

– Doktoratura honoris causa në teologji nga Universiteti Katolik i Lublinit (Poloni), për faktin se “ka nisur një formim shpirtëror paspagëzimor, i cili, përmes një nxënie të krishterë, sjell në mbarë botën një veprim ungjillëzues” (Lublin 2013).

– Doktoratura honoris causa në teologji, dhënë atij – së bashku me Carmen-in – nga Universiteti Katolik i Amerikës, për faktin se janë dalluar në përkushtimin e tyre ndaj të varfërve, që ka sjellë shumë njerëz në bashkësinë me Krishtin dhe në fenë katolike” (Washington DC 2015).

– Doktoratura Honoris Causa, dhënë Kiko Argüello-s, së bashku me Rabinin David Rosen, nga Universiteti Francisco de Vitoria i Madridit, për kontributin e tij në dialogun judeo-të krishterë (2021);

– Medalja “Per Artem ad Deum”, dhënë nga Shoqata Sacraexpo (Poloni), me patronazhin e Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin (2024), për kontributin shpirtëror që ka dhënë përmes artit të tij.

– Qytetaria e Nderit e Bashkisë së Porto San Giorgio-s (Fermo, Itali), për faktin se i ka dhënë qytetit, me Qendrën Ndërkombëtare Shërbëtori i Jahveut, një dukshmëri ndërkombëtare.

– Çmimi gazetaresk “Religion en Libertad” 2025: Çmimi Special i Vitit 2025 për Kiko Argüello-n për angazhimin e tij të madh në ungjillëzim.

Pavarësisht gjenialitetit të veprës artistike të Kiko-s në favor të Kishës, në fjalën e tij të shkurtër me rastin e Medaljes “Per artem ad Deum”, ai theksoi se “Gjëja shumë më e rëndësishme se gjithë vepra ime artistike, ka qenë hapja e një Ecjeje të Nxënies së Krishterë në të gjithë Kishën, e cila po ndihmon shumë familje dhe shumë të rinj. Kjo po, është një vepër arti!”.