Me rastin e 800-vjetorit të vendosjes së gurit të parë të katedrales aktuale gotike të Toledos, në Spanjë, piktori dhe kompozitori spanjoll Kiko Argüello do të prezantojë të dielën, më 22 shkurt 2026, Veprën e tij Simfonike të përbërë nga pjesët: “El Sufrimiento de los Inocentes” (Vuajtja e të pafajshmëve) dhe “El Mesías” (Mesia).


Komunikatë për shtyp e Arkidioqezës së Toledos
Me rastin e tetëqindvjetorit të vendosjes së gurit të parë të katedrales aktuale gotike, Kiko Argüello do të prezantojë veprën në një koncert të dielën, më 22 shkurt, në orën 19:30. Hyrja do të jetë e lirë nga “Puerta Llana” deri në plotësimin e vendeve.
Në koncert do të jetë i pranishëm Arqipeshkvi i Toledos, Imzot Francisco Cerro Chaves. Do të drejtohet nga maestro Tomáš Hanus, i njohur në nivel ndërkombëtar, i cili ka performuar në teatro si Bayerische Staatsoper, Opéra e Parisit, Teatro Real i Madridit dhe Scala e Milanos. Pianisti Claudio Carbó dhe drejtuesi i korit Abraham Sánchez plotësojnë kastin artistik.
Interpretimi do të bëhet nga Orkestra Simfonike dhe Kori i Ecjes Neokatekumenale, i themeluar në vitin 2010 dhe i përbërë nga rreth 180 muzikantë të kombësive të ndryshme që ofrojnë falas talentin e tyre në shërbim të ungjillizimit përmes muzikës.
Me Veprën Simfonike, Kiko Argüello propozon një përvojë artistike me thellësi të madhe shpirtërore dhe forcë estetike, ku muzika, feja dhe bukuria bashkohen për t’i ofruar njeriut bashkëkohor një meditim tingullor mbi misterin e Krishtit dhe mbi shpresën e Ringjalljes.
Koncerti do të transmetohet nga Televizioni Dioqezan i Toledos (RTVD Toledo).
Aktivitet intensiv artistik
Kiko Argüello, nismetar i Ecjes Neokatekumenale, së bashku me Carmen Hernández, Shërbëtore e Hyjit, i formuar në Akademinë e Arteve të Bukura San Fernando në Madrid dhe i nderuar në vitin 1959 me Çmimin Kombëtar Jashtëzakonshëm të Pikturës, ka zhvilluar një aktivitet intensiv artistik në fushën e pikturës, arkitekturës, skulpturës dhe muzikës sakrale. Vepra e tij është thellësisht e lidhur me shpalljen e Ungjillit përmes bukurisë, e konceptuar si reflektim i dritës së Zotit dhe si mjet për ungjillizimin e ri.
Në vitin 1964, pas një përvoje të thellë kthimi, ai vendosi të jetojë mes të varfërve në periferi të Madridit, ku lindi bashkësia e parë e Ecjes Neokatekumenale. Ecja është sot e pranishme në 138 kombe dhe është njohur nga Selia e Shenjtë si një dhuratë e Shpirtit të Shenjtë për Kishën.
Arti në shërbim të fesë
Argüello është autor i veprave të rëndësishme artistike dhe arkitektonike në shumë tempuj dhe qendra kishtare në mbarë botën. Konceptimi i tij i artit si një ecje drejt Zotit i ka sjellë njohje ndërkombëtare.
Më 1 dhjetor 2024, ai u nderua me çmimin prestigjioz “Per Artem ad Deum”, dhënë nga shoqata polake SacroExpo nën patronazhin e Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, në njohje të kontributit të tij në fe përmes artit.
Një propozim muzikor me dimension shpirtëror dhe universal
Në vitin 2010, Kiko Argüello kompozoi simfoninë e tij të parë, “El Sufrimiento de los Inocentes” (Vuajtja e të pafajshmëve), një vepër në pesë kohë që përbën një meditim të thellë mbi misterin e vdekjes së Krishtit dhe mbi dhimbjen e Virgjëres Mari.
Më pas ai përfundoi “El Mesías” (Mesia), poemë simfonike për piano, kor dhe orkestër, e strukturuar në tre pjesë – Aquedah, Bijat e Jerusalemit dhe Mesia, Luani për të fituar – që formojnë një triptik të përqendruar në mundimin dhe vuajtjen e Krishtit, i kushtuar martirëve të krishterë.
Premiera dhe koncerte ndërkombëtare

Mesia u prezantua për herë të parë më 19 nëntor 2023 në Teatrin Verdi të Triestes, i transmetuar nëpërmjet RAI5.
Në Vitin Jubilar 2025, vepra simfonike u prezantua në Auditoriumin “Parco della Musica” të Romës, me rastin e Jubileut të Familjeve, me interpretimin për herë të parë në një mbrëmje të vetme të të dyja kompozimeve. Koncerti u transmetua në nivel ndërkombëtar nga RAI5.
Gjatë vitit 2025, vepra arriti edhe në vende simbolike të Spanjës, si Xhamia-Katedrale e Kordovës, me rastin e Jubileut të Shën Pelagios, dhe në Auditoriumin Príncipe Felipe të Oviedos, me rastin e 50-vjetorit të Ecjes Neokatekumenale.
Këto koncerte i shtohen një karriere të gjerë ndërkombëtare që e ka çuar Orkestrën në skena si Vatikani, Jerusalemi, Parisi, Berlini, Budapesti, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Polonia, ndër të tjerë.
Vit historik për Kishën e Toledos dhe kulturën
Në vitin 2026, Toledo kremton 800-vjetorin e fillimit të ndërtimit të Katedrales së saj mesjetare, nxitur nga mbreti Ferdinandi III, i Shenjti, dhe nga Arqipeshkvi Jiménez de Rada, e projektuar nga mjeshtri francez Martín.
Një program i gjerë ngjarjesh liturgjike, kulturore, artistike dhe trashëgimore do të zhvillohen gjatë gjithë vitit 2026 dhe një pjese të vitit 2027, në përputhje me Vitin Jubilar të dhënë nga Selia e Shenjtë.
Një nga takimet e mëdha kulturore do të jetë ekspozita “Primada – VIII Centenario della Cattedrale di Toledo”, e cila do të inaugurohet më 25 maj dhe do të qëndrojë e hapur deri më 14 tetor 2026. Ekspozita do të mbledhë mbi 350 kryevepra – piktura, skulptura, kodeksë dhe tapiceri – që përshkojnë tetë shekuj arti, feje dhe trashëgimie, me vepra të artistëve si El Greco, Velázquez dhe Zurbarán.
Përveç kësaj ekspozite, programi përfshin preludë muzikorë dhe koncerte në vetë Katedralen, si ky i veprës simfonike të Kiko Argüello-s.

