Në përfundim të Jubileut të të Rinjve, i dëshiruar nga Papa Françesku dhe i kremtuar nga Papa Leoni XIV, për t’i dhënë sërish shpresë botës së sotme, 120 mijë të rinj nga bashkësitë e Ecjes Neokatekumenale të 109 kombeve nga 5 kontinentet, janë mbledhur këtë mbrëmje, më 4 gusht, në të njëjtin vend të takimit me Papën, me Ekipin Ndërkombëtar: Kiko Argüello, Maria Ascensión dhe At Mario Pezzi.
Në skenën e madhe, ku Papa kishte kryer Vigjiljen e lutjes, morën vend 6 kardinalë, 4 kryeipeshkvij dhe 26 ipeshkvij, së bashku me qindra itinerantë dhe katekistë që kishin shoqëruar të rinjtë në Romë. Ky pelegrinazh, përveçse një udhëtim lutjeje, ishte edhe një rast për shpallje në qytete të ndryshme të Europës, ku grupet ndaluan për të kaluar natën gjatë rrugëtimit të tyre të gjatë. Ata patën mundësinë të bëjnë pjesë në këtë përvojë kishat vendore, vetë bashkësitë, por edhe shumë autoritete civile që i pritën me përshëndetje mikpritëse dhe të ngrohta.
Ky pelegrinazh u kthye kështu në një rast për të dëshmuar bukurinë e besimit të tyre, gëzimin e ditëve të kaluara së bashku dhe festën e të shkuarit në Romë për të takuar Papën dhe për të mbështetur mbi Pjetërin ecjen e tyre të fesë.

Takimi u udhehoq nga Kardinali Baldassare Reina, Vikari i Papës për Dioqezën e Romës, i cili përshëndeti asamblenë e madhe të mbledhur aty.
Në një shpirt feste dhe të vërtete bashkësie, nën një shkëlqim flamujsh nga rreth pesëdhjetë vende të Europës, rreth tridhjetë vende të Amerikës, nga 11 vende të Afrikës (dhe vende të tjera që mungonin sepse nuk arritën të merrnin vizë për këtë ngjarje), si dhe nga 20 vende të Lindjes së Mesme, Azisë dhe Oqeanisë… u ndje e gjithë bukuria e këtyre ditëve dhe e këtij Jubileu të Shpresës. Dhe këta të rinj – së bashku me qindra mijëra të rinj të tjerë që janë mbledhur në këtë qytet të përjetshëm të Romës, vendi i martirizimit të apostujve Pjetri dhe Pali, si edhe i mijëra martirëve të tjerë – mund të bëhen dëshmitarë të vërtetë të bukurisë së besimit të krishterë në një shoqëri çdo herë e më shumë të sekularizuar dhe indiferente.
Ngjarja u zhvillua sipas modelit të Takimeve Thirrore të Ditëve të tjera Botërore të Rinisë: Kiko, i shoqëruar nga At Mario Pezzi dhe Maria Ascensión, prezantoi shkurtimisht asamblenë, përpara se të niste kënga, e marrë nga libri i profetit Isaia, e cila hap dhe vulos këto takime: “Unë vij qe të bashkoj të gjitha kombet”, dhe vetë asambleja ishte një imazh i gjallë i kësaj fjale.
Pas përshëndetjes së Kardinalit Vikar, bëri hyrjen solemne ikona e Virgjërës Mari, e shoqëruar nga 100 meshtarë nga seminaret Redemptoris Mater, dhe që së bashku me kryqin e madh mbi skenë, merr vendin kryesore ne takimin. I pranishëm ishte edhe një imazh i Carmen Hernández, Shërbëtorja e Zotit që ka shoqëruar Kikon në relizimin në Kishë të Ecjes Neokatekumenale si një nxënie për jeten e krishterë, e cila sot është e pranishme në 138 vende të botës.
Takimi u hap me disa fjalë të shkurtra nga Ascensión, e cila vuri përpara të rinjve figurën e Meshtarit të Shënnjtë të Arsit, të cilin Kisha e përkujton sot. Më pas u shpall Fjala e Zotit, e marrë nga letra e dytë e Shën Palit drejtuar Korintasve – një pjesë veçanërisht e fuqishme që fton “të mos e pranojmë më kot hirin e Zotit”. Pas saj u këndua Ungjilli i përkujtimit liturgjik të ditës: Mt 9,35–10,1 – një pjesë vërtet “ad hoc”, me fjalët e Zotit më të përshtatshme për këtë takim thirror: “Të korrat janë të medha, por punëtorët janë pak. Lutuni, pra, të Zotit të të korrave që të dërgojë punëtorë në të korrat e veta”.
Dhe Kiko bëri të jehonte i fuqishëm Lajmi i mirë, gjithmonë i ri, sepse bën të pranishëm “Ja ku jam”-in e Zotit:, dashurinë e tij, vdekjen dhe ngjalljen e Birit të tij, Jezu Krishtit, që mund mëkatin e njeriut për ta nisur drejt plotësisë së jetës që është qielli. “Cili është dëshiri më i thellë i Zotit?”, pyeti Kiko. Dhe u përgjigj: “Të të bëjë dhuratë Shpirtin e Shenjtë, jetën e tij, lumturinë e tij”.
Por që Zoti të mund të ta japë këtë dhuratë, ka nevojë për lirinë tënde, sepse – siç kujton Shën Agustini – “Zoti, që të ka krijuar pa ty, nuk do të të shpëtojë pa ty”.

Dhe Kiko, duke e rilexuar në mënyrë ekzistenciale shpalljen e Zanafillës, tregoi se pas mashtrimit të gjarprit, njeriu që pranoi katekezen e djallit, duke mos iu bindur Zotit dhe duke e refuzuar atë, e gjen veten të humbur, të vdekur: në thelb nuk është një problem moral, por ekzistencial; nëse Zoti nuk ekziston, nëse nuk ka një Krijues, atëherë kush jam unë? Ç’kuptim ka jeta ime?
Dhe, duke mos pasur një përgjigje të vërtetë ekzistenciale, njeriu prishet në kërkimin e gjithçkaje që mund t’i japë një kuptim: ia ofron gjithçka vetes, por sa më shumë që bën këtë, aq më i vetmuar bëhet, i paaftë për të dashur.
Dhe njeriu mbetet skllav i vetmisë, i frikës se vdekjes. Ai e jeton botën duke ndërtuar një kozmogoni të vetën, një kozmos në të cilin aksi, qendra, nuk është më Zoti, por vetvetja: uni i tij. Ja ku qëndron mëkati. Jo diçka morale, por ekzistenciale. Ky mëkat, që banon në thellësinë e unit tim, më detyron, para së gjithash, t’ia ofroj gjithçka vetvetes, sepse jam unë zoti i vetes time dhe dua të jem i lumtur – i ofroj gjithçka vetvetes.
Ja çfarë e pengon Zotin të të bëjë dhuratë Shpirtin e tij të Shenjtë – vazhdoi Kiko –: mëkati që banon në ty. Dhe pikërisht ky është kuptimi i takimit tonë sonte, i këtij Jubileu: Jezu Krishti dëshiron të bëhet dhuratë për ty. Shën Pali thotë: “Dashuria e Krishtit na nxit të mendojmë se, nëse Krishti vdiq për të gjithë, atëherë të gjithë vdiqen. Dhe Ai vdiq për të gjithë, ne menyrë që ata që jetojnë të mos jetojnë më për vete, por për Krishtin.”
Dhe Kiko, duke treguar kryqin e Krishtit, tha: “Ju ftoj të shikoni këtë kryq: ja imazhi i lirisë. Kryqi është imazhi i vërtetë i lirisë. Ja një njeri që u dha për ty, për të të bërë të lirë, që edhe ti të mund të dhurohesh për të tjerët dhe të mos ia ofrosh më gjithçka vetes. Si mund ta marrësh sot Shpirtin e Shenjtë? Nëse pranon që uni yt të kryqëzohet me Krishtin.”

Dhe vazhdoi duke treguar dialogun mes Jezusit dhe Pjetrit, pas ngjalljes së Tij. Pjetri e mohoi, por Jezusi nuk e braktisi: e kërkoi dhe e pyeti: “Pjetër, a më do?”. E duke iu drejtuar të rinjve, tha se kjo pyetje e Zotit u drejtohet sot secilit prej nesh: “A më do?”. Nëse do të ketë një përgjigje nga ana jonë, Ai do të mund të na bëjë dhuratë Shpirtin e Shenjtë – mund të na bëjë të shenjtë.
Ky është kalimi i Zotit në mes nesh, thirrja e tij. Pelegrinazhi, Jubileu, na çojnë pikërisht këtu: “Ja ku jam” i Zotit. Dhe ky “Ja ku jam” pret sot “Ja ku jam”-in tënd, ashtu siç bëri Virgjëra Mari.
Dhe për të vulosur të vërtetën e këtij takimi, të asaj që po kremtohej, pas disa fjalëve të shkurtëra nga At Mario – i cili kujtoi thirrjen e tij dhe i ftoi të rinjtë të mos kenë frikë t’i përgjigjen Jezu Krishtit – Kiko i drejtoi asamblesë një ftesë për ata që ndihen të thirrur.
Ishte mbresëlënëse të shihje se si shumë të rinj dukeshin sikur po e prisnin këtë thirrje: sapo Kiko mbaroi së foluri, shumë prej tyre u vunë në lëvizje drejt skenës, duke formuar një lumë të vërtetë – nga të gjitha grupet, nga të gjitha kombet, në të gjitha gjuhët, të veshur në mënyra nga më të ndryshmet – në ecje për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit.
Fillimisht u ngritën djemtë – rreth 5.000 prej tyre – dhe më pas vajzat – po ashtu rreth 5.000 – të cilat u çuan në këmbë dhe ecën drejt skenës për të marrë bekimin e Kardinalëve dhe të Ipeshkvijve. Kjo thirrje e parë do të verifikohet më pas në qendrat e ndryshme thirrore, por fakti që kanë dhënë sot një përgjigje ndaj kalimit të Zotit, mund të shënojë fillimin e një jete të re, e cila, siç thoshte Kiko, i përgjigjet projektit të Zotit: të të bëjë të shenjtë!
Pastaj Kardinali Vikar përmbylli takimin me një fjalë shprese. Ja disa nga fjalët e tij:
“Pasi keni pranuar kerygmën, dëshironi gjërat më të mëdha, shenjtërinë”;
“Qoftë kjo përgjigjja ndaj thirrjes së Papës Leon”;
“Zoti na ka drejtuar këtë ftesë, Zoti na thërret të gjithëve drejt shenjtërisë”;
“Hapini gjithmonë një vend Fjalës së Zotit, sepse Zoti nuk na heq asgjë nga lumturia jonë”;
“Për disa prej jush, sot po hapet një udhë e re drejt lumturisë tuaj – një jetë e plotë, plot me Zotin, plot me gëzim”.

