Dëshmia e Kiko Argüellos. Rrëshajët 2025

Quhem Kiko Argüello dhe, bashkë me Shërbëtoren e Zotit, Carmen Hernández, jemi nismetarët e Ecjes Neokatekumenale, një mënyrë dioqezane e nxënies së krishtere, e cila – përmes katekizmit, Fjalës së Zotit dhe sakramenteve të jetuara në një bashkësi – i çon njerëzit drejt një besimi të rritur dhe një bashkësie vëllazërore.
Jam një piktor spanjoll. Në kohën time universitare, pas një krize ekzistenciale, pata një takim të thellë me Zotin, i cili më thirri të lija gjithçka dhe të shkoja të jetoja në mes të varfërve. Më pas, Zoti më lejoi të vë artin tim në shërbim të estetikës së re në Kishë. Shkova të jetoja në barakat e perifërive të Madridit, duke ndjekur gjurmët e Shën Charles de Foucauld: të jetoja jetën e fshehtë të Krishtit, të jetoja si Familja e Shenjtë e Nazaretit.

Carmen Hernández, një kimiste dhe teologe, e cila kërkonte një grup për të shkuar në mision në Amerikën e Jugut, i njohu të varfërit që mblidheshin në barakën time dhe mbeti aq e habitur, saqë vendosi të qëndronte edhe ajo për të jetuar në një barakë pranë nesh. Në baraka pamë se si Shpirti Shenjt krijonte bashkësi mes romëve, njerëzve shumë të shkatërruar. Pamë dashurinë falas të Zotit të shfaqur në Jezu Krishtin për shpëtimin e njeriut, për ta nxjerrë nga ankthi dhe mëkati. Këtë praninë e Zotit në mes të të varfërve, Shpirti Shenjt e kishte përgatitur për Kishën e tij. Në mesin e të varfërve zbuluam një sintezë teologjiko-kateketike, e cila do të bëhej baza e Ecjes Neokatekumenale.

Është një ecje që Zoti ia ka dhënë Kishës së tij, pas Koncilit, për të hapur brenda famullive një itinerar të nxënies së krishtere, të ngjashëm me atë që kishte Kisha e lashtë, me etapa, ku njeriu bashkëkohor të mund të lindë në jetën e re që Krishti i Ngjallur ka sjellë me ardhjen e tij. Ky itinerar i formimit të krishterë bëhet në bashkësi të vogla, imazh i Familjes së Shenjtë të Nazaretit, që fara që kemi marrë në Pagëzim të arrijë pjekurinë e saj.

Duke menduar për këtë Vigjilje të Rrëshajëve, i bëja vetes disa pyetje: Si të arrihet sot te njeriu ateist që nuk ka më besim? Çfarë do të thotë të jesh i krishterë? Çfarë do të thotë të duash? «Duajeni njëri-tjetrin, ashtu siç ju kam dashur unë. Në këtë dashuri, të gjithë do të njohin se jeni nxënës të mi» (krh. Gjn 13,34); «…Nëse jeni plotësisht një, bota do të besojë» (krh. Gjn 17,21) – ky njeri i shekularizuar do të besojë. Atëherë, bëhet fjalë për të dashur në këtë përmasë: në përmasën e dashurisë ndaj armikut: Krishti u la të vritej prej nesh dhe për ne, armiqtë e tij – dashuri për armikun. Për të arritur kësaj dashurie, në një staturë të rritur të besimit, kemi zbuluar se është e domosdoshme të fillohet një itinerar i nxënies së krishtere në një bashkësi.
Kam pikturuar një ikonë të vogël të Zojës, sepse këtë Ecje e ka frymëzuar Shenjtja Virgjëra Mari. Origjinali ndodhet në një kapelë të katedrales së Madridit. Në këtë ikonë gjendet një frazë: «Duhet të bëhen bashkësi të krishtera si Familja e Shenjtë e Nazaretit, që të jetojnë në përvujtëri, thjeshtësi dhe lavd: tjetri është Krishti». Duhet të bëhen bashkësi ku të krishterët të mund të bëhen të rritur, për të përmbushur një mision në mes të një bote të shekularizuar dhe për të formuar një bashkësi si Trupi i Krishtit të Ngjallur, ku tjetri është Krishti.
Ecja, si një nxënie e krishterë që në qendër të famullive formon bashkësi të krishtera – të përbëra nga familje, të rinj, të moshuar, njerëz që ishin afër dhe tjerët që ishin larg nga Kisha – merr pjesë së bashku me Dioqezat në ngjarjen e Jubileut në shprehjet e tij të ndryshme, të bindur se ky vit është një çast i privilegjuar për një takim të vërtetë me Jezu Krishtin që t’i japë neve dhe botës së sotme atë shpresë për të cilën ka aq shumë nevojë.
Ecja Neokatekumenale është nxitur nga Shpirti Shenjt, siç e kanë pohuar të gjithë Papët, për të ndihmuar Kishën në ungjillëzimin e Mijëvjeçarit të Tretë. Jemi të gjithë shumë mirënjohës ndaj Zotit dhe Virgjërës Mari, e cila ka dashur lindjen e kësaj Ecjeje, për zgjedhjen e Papës së ri, Leonit XIV. Mbështetja e Papëve ka qenë gjithmonë thelbesore në zhvillimin e Ecjes.
Në Ecje ka shumë të rinj, dhe pa dyshim Jubileu më i pritur është ai i të rinjve, në fillim të gushtit. Mijëra të rinj do të vijnë në Romë të shoqëruar nga katekistët e tyre dhe nga Ipeshkvijtë e tyre. Pas takimit me Papën, do të kenë me ne një takim thirror për t’u ndihmuar në një ndarje thirrjeje. Jemi të bindur se do të sjellin shumë fryt fjalët e Papës Leon XIV në nxitjen e tij gjatë lutjes “Regina Coeli”, në Ditën e Thirrjeve: «Mos kini frikë».