Takimi privat me nismetarët e Ecjes Neokatekumenale 19-XI-2005
Benedikti XVI
Qyteti i Vatikanit, 19 nëntor 2005
Më 19 nëntor 2005, Ati i Shenjtë, Benedikti XVI, priti për herë të parë nismetarët e Ecjes Neokatekumenale në një takim privat.
Kiko e ka përshkruar këtë takim në këtë mënyrë:
“Ka qenë një takim i mrekullueshëm. Kërkuam një takim me Papën, duke e ditur që është shumë e vështirë, dhe na u dha. Më majin e kaluar, bëmë një bashkëtesë me familjet dhe dërguam 200. Kërkuam nga Papa Benedikti XVI nëse mund të bënte, ashtu siç bëri Gjon Pali II duke dërguar më shumë se 400 familje në mbarë botën, që t’u dorëzonte këtyre familjeve të reja kryqin dhe të bënte një foto me to për të treguar, atje ku do të shkojnë, se janë katolikë, sepse do të shkojnë në mjedise shumë të vështira të Amerikës dhe të Europës së Veriut. Na komunikuan se më 12 janar Papa është i gëzuar t’i dërgojë këto 200 familje në të gjithë botën. Ky është një takim shumë i rëndësishëm! Do të jetë hera e parë që Papa Benedikti XVI do të thotë një fjalë për Ecjen Neokatekumenale para gjithë Kishës. Të gjithë po presin.
Takimi privat që kemi pasur më 19 nëntor ka qenë i mrekullueshëm: unë fola pak për planin e ungjillizimit që kishim paraqitur tek Gjon Pali II, me një Implantatio Ecclesiae me familje në mision, pak siç bënte Shën Benedikti; i tregova Papës një hartë ku duken 27 seminarët e Europës dhe ku janë familjet në mision… Mirë, kur mbetën vetëm 5 minuta deri në fund të takimit, Papa tha: “Mirë, tani flasim për liturgjinë. Dje bisedova me Kardinalin Arinze dhe ra dakord për disa gjëra.” Na tha se mund të bëjmë disa monizione të shkurtra për leximet, disa rezonanca për Fjalën: 3 ose 4, që natyrisht nuk mund të zëvendësojnë homelinë. Paqja mbetet atje ku e bëjmë; dhe për Kungimin nën dy lloje, mund të vazhdojmë për një kohë ta bëjmë ashtu siç e kemi bërë deri tani, pastaj do të shihet…”
