Në vitin 1985 Kiko, Carmen dhe At Mario i paraqitën Shën Gjon Palit II një projekt – i mirëpritur me shumë entuziazëm nga ana e tij – për të riungjillëzuar Evropën Veriore, duke dërguar familje misionare, të shoqëruar nga një prift. Në vitin 1986 Papa dërgoi 3 familjet e para: një në Finlandën veriore, një tjetër në Hamburg (Gjermani) dhe të tretën në Strasburg (Francë). Në vitin 1987, 3 familjet e para u dërguan edhe në të ashtuquajturat “pueblos jóvenes” të Amerikës Latine.
Më 30 dhjetor 1988, Gjon Pali II, duke mbërritur me helikopter në Qendrën Ndërkombëtare të Ecjes Neokatekumenale në Porto San Giorgio, dërgoi 72 familje në të gjithë botën. Ne atë rast, duke folur për familjen, gjatë predikimit Papa tha: “Familja e Shenjtë nuk është asgjë tjetër, është kjo: familja njerëzore në një mision hyjnor”… “Kisha e Shenjtë e Zotit, nuk mund ta kryesh misionin tënd, jo, nuk mund ta përmbushesh misionin tënd në botë nëse nuk është përmes familjes dhe misionit të saj”… “Duhet, me të gjitha lutjet tuaja, me dëshminë tuaj, me forcën tuaj, ta ndihmoni familjen, duhet ta mbroni atë kundër çdo shkatërrim”. “Familje në mision, Triniteti në mision”.
Që atëherë, mbi 1.600 familje janë dërguar nga Papët në pesë kontinentet për të ungjillëzuar me dëshminë e tyre për jetën e krishterë, sipas imazhit të Familjes së Shenjtë të Nazaretit, përmes formave të ndryshme të misionit.
Bëhët fjalë për familje që, pas viteve të formimit pas-pagëzimore – dhe shumë prej tyre të rindërtuara – ndihen mirënjohës për veprën e shpëtimit që Zoti ka kryer në to. Këto familje, shumica me shumë fëmijë, dalin vullnetarë për të shkuar në misione, duke lënë rahatshmerinë e vendeve të tyre të origjinës. Ata shkojnë në mision kudo që ipeshkëv shohin nevojën e dëshmisë së një familjeje të krishterë, e cila jeton dhe zë rrënjë në kishat vendëse, duke kryer detyra të ndryshme ungjillëzimi, duke bashkëpunuar kështu në formimin e bashkësive të reja të krishtera.
Në Statutin e Ecjes, tregohet se zbatimi i Ecjes Neokatekumenale mund të ndihmohet nga familjet me mision, të cilat, me kërkesë të ipeshkvinjve, vendosen në zona të çkristianizuara ose ku është e nevojshme një “implantatio ecclesiae” (Statutet , neni 33,1).