Mario Pezzi

Mario Pezzi

Mario Pezzi

Mario Pezzi lind në Gottolengo (Brescia, Itali), më 19 shtator 1942, i treti nga pesë vëllezër. Hyn në seminarin e Misionarëve Kombonianë në moshën 10-vjeçare. Pas Noviciatit, eprorët e dërgojnë në Romë, në Shkollën (Scolasticato) Ndërkombëtare, për të studiuar Teologji në Universitetin Papnor Urbanian. Shugurohet meshtar më 19 mars 1969 dhe fillon doktoraturën në Teologji Dogmatike në Universitetin Papnor Gregorian me Profesor Atë Zoltan Alszeghy.

Në të njëjtin vit njeh Kiko-n dhe Carmen-in, nismëtarët e Ecjes Neokatekumenale, dhe dëgjon katekezat e fundit në famullinë e Lindjes së Krishtit (Natività) në Romë. Në janar të vitit 1970, dëgjon përsëri katekezat në famullinë Shën Gjonit të Hyjit, ku kryente shërbimin e tij baritor, dhe bëhet pjesë e bashkësisë së parë neokatekumenale të kësaj famullie. Duke parë në Ecje një shpresë për katekumenatin në misionet në Afrikë, veçanërisht pas përvojës tragjike të masakrave midis të krishterëve në Burundi, merr lejen e Eprorëve të tij për të bërë një përvojë si itinerant i Ecjes, me perspektivën e misionit në Afrikë. Në shtator të vitit 1970 ndërpret studimet e Doktoraturës dhe dërgohet nga Kiko dhe Carmen-i për të hapur Ecjen në dy dioqeza të Brescia-s dhe Milano-s, dhe në janar të vitit 1971 në famullinë Shën Leonit në Catania.

Në qershor të vitit 1971, ftohet nga Kiko dhe Carmen-i për të zëvendësuar Don Francesco Cuppini-n, meshtarin që i kishte shoqëruar që nga viti 1968, duke u bërë kështu pjesë e ekipit të tyre në periudhat kur ungjillëzonin në Itali, veçanërisht në Romë, Firence dhe Ivrea. Kur ndodheshin në Spanjë, Kiko dhe Carmen-i shoqëroheshin nga At Jesús Blázquez si meshtar, ndërsa At Mario u dërgua për të ungjillëzuar në Lombardi dhe më pas në Portugali. Në dhjetor të vitit 1981, me një letër të Superiorit të Përgjithshëm të Kombonianëve, dërgohet si kombonian itinerant për të filluar Ecjen në Khartum (Sudan), zemra e misioneve komboniane dhe më pas, në mars të vitit 1982, në Kampala (Ugandë). Duke filluar nga ato vite, kryen udhëtime të ndryshme në Afrikë: duke vizituar ipeshkvij të ndryshëm në Kenia, familjet në mision të Ecjes në Bregun e Fildishtë, Kamerun, Zambi, dhe Seminaret Redemptoris Mater të Kitwe-s (Zambi), Douala-s (Kamerun), Dar es Salaam-it (Tanzani), Goma-s (Kongo) dhe Morondava-s (Madagaskar). Viziton gjithashtu ipeshkvij të ndryshëm fillimisht në Angola dhe më pas në Mozambik për të hapur Ecjen. Ka qenë gjithashtu në Bangui (Republika e Afrikës Qendrore) dhe në Bujumbura (Burundi).

Që nga viti 1982, thirret për të qenë pjesë e ekipit përgjegjës të Ecjes Neokatekumenale së bashku me Kiko-n dhe Carmen-in, me kohë të plotë, duke i shoqëruar në marrëdhëniet me Papët, Selinë e Shenjtë, Ipeshkvijtë, në kalimet, në bashkëjetesat botërore të itinerantëve, në udhëtimet dhe takimet ndërkombëtare, deri në ditët e sotme. Në vitin 1992, Drejtoria e Re e Kombonianëve e ftoi të rikthehej përsëri në Institut ose të inkardinohej në Dioqezën e Romës. Pasi u largua nga Instituti, Kardinali Vikar, Camillo Ruini, e priti si Meshtar Katekist Itinerant në Dioqezë.

Me miratimin e Statuteve në vitin 2002 ad experimentum, dhe në vitin 2008 në mënyrë përfundimtare, ai u emërua nga Selia e Shenjtë meshtar i Ekipit Ndërkombëtar së bashku me Kiko-n dhe Carmen-in (para vdekjes së saj).

Më 13 nëntor 2025, mori nga UCAM – Universiteti Katolik i Murcia-s – Doktoraturën Honoris Causa në Teologji për katekezat vjetore të fillimit të vitit, nga viti 1992 deri në vitin 2025, mbi Magjisterin e Kishës.