Kiko Argüello

Kiko Argüello

Kiko Argüello

Francisco José Gómez de Argüello Wirtz lindi në León më 9 janar 1939. Studioi Arte të Bukura në Akademinë e San Fernando në Madrid dhe në vitin 1959 mori Çmimin Kombëtar të Jashtëzakonshëm për Pikturë. Pas një krize të thellë ekzistenciale, përjetoi një kthim të thellë që e çoi ta përkushtojë jetën e tij ndaj Jezu Krishtit dhe Kishës.

“Në vitin 1960, së bashku me skulptorin Coomontes dhe mjeshtrin e vitrazheve (xhamave të ngjyrosura) Muñoz de Pablos, themeloi grupin e kërkimit dhe zhvillimit të Artit të Shenjtë ‘Gremio 62’. Organizoi ekspozita në Madrid (Biblioteka Kombëtare) dhe, në vitin 1964, i emëruar nga Ministria e Kulturës, përfaqësoi Spanjën në Ekspozitën Universale të Artit të Shenjtë në Royan (Francë). Në Holandë (1965), ekspozoi disa nga veprat e tij (Galeria “Nouvelles images”).

I bindur se Krishti është i pranishëm në vuajtjet e të pafajshmëve dhe të fundeve të botës, në vitin 1964 ai shkoi të jetojë në mes të varfërve dhe zhvendoset në një barakë në Palomeras Altas, në periferi të Madridit. Atje njeh Carmen Hernandez dhe të dy, të frymëzuar nga ambienti i të varfërve, gjejnë një formë të re predikimi, një sintezë kerygmatiko-kateketike, që çon në formimin e një bashkësie të vogël të krishterë. Kjo bashkësi, në të cilën bëhet i dukshëm dashuria e Krishtit të kryqëzuar, bëhet një “farë” që, falë arkipeshkvit të atëhershëm të Madridit, Mons. Casimiro Morcillo, mbillet në famullitë e Madridit dhe më pas në ato të Romës dhe të kombeve të tjera.

Pas kthimit të tij, ai e vë artin e tij në shërbim të Kishës. Konkretisht, përmes pikturës, muzikës, arkitekturës dhe skulpturës; këto dy të fundit për të promovuar një “estetikë të re” që t’i çojë njerëzit drejt besimit.

Si piktor, ai ka realizuar vepra të rëndësishme në mbarë botën. Në Spanjë, veçanërisht në Madrid – spikat kurora misterike e Katedrales – dhe në Murcia. Në Itali ka pikturuar së fundmi një afresk të madh në Seminarin Redemptoris Mater të Romës. Ka vepra të tij në famulli të ndryshme të Romës, si ajo e Martirëve Kanadezë, dhe në qytete të tjera si Piacenza dhe Perugia. Një shembull tjetër është afresku i madh i Gjykimit të Fundit në Domus Galilaeae (Izrael), një qendër e vendosur në Malin e Lumturive, e cila, sipas dëshirës së shprehur të Shën Gjon Palit II, shërben gjithashtu për të ndërtuar ura me popullin hebre.

Si arkitekt, ai ka zhvilluar një model të ri të famullisë dhe seminarit, të bazuar në estetikën e re, ku përfshihen edhe vitrazhe (xhamat me ngjyra) të krijuara prej tij. Ka shembuj të tillë në Spanjë, Itali, Nikaragua, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Finlandë, Republikën Dominikane dhe disa vende të Azisë dhe Afrikës. Në këtë drejtim, vepra më domethënëse është Domus Galilaeae.

Gjatë këtyre viteve, Kiko Argüello ka zhvilluar për Ecjen Neokatekumenale veprat të ndryshme në fushën muzikore. Që kur shkoi të jetonte në barakën e Palomeras Altas me një Bibël dhe një kitarë, ai ka kompozuar më shumë se 300 këngë që përbëjnë të ashtuquajturën “RISUCITÒ (U NGJALL), këngë për bashkësitë neokatekumenale”. Disa prej tyre këndohen sot në shumë famulli në mbarë botën dhe janë kënduar në shumë raste në prani të Papëve të ndryshëm. Për këto, Kiko ka kompozuar shoqërime muzikore duke përdorur një numër të madh instrumentesh.

Në vitin 2010, Argüello formoi Orkestrën Simfonike të Ecjes Neokatekumenale dhe kompozoi veprën “Vuajtja e të pafajshmëve”, e cila përshkruan përmes muzikës dhimbjen e Virgjëres pranë këmbëve të kryqit. Pas interpretimit të saj në Izrael, përpara autoriteteve të ndryshme dhe 200 ipeshkvijve, hebrenjtë, të thellësisht të prekur, pranuan se ndiheshin të kuptuar dhe të dashur nga Kisha përballë dhimbjes së Shoah-ut (Holokaustit). Që nga ajo kohë, kjo simfoni është bërë një urë dialogu midis popullit hebre dhe Kishës Katolike. Pas kompozimit të saj, ajo është interpretuar në vende të ndryshme, si Vatikani – në një rast në praninë e Benediktit XVI – Jeruzalemi, Betlehemi, Madridi, Parisi, Tokio, Nju Jorku, Çikago, Bostoni, Dyseldorfi dhe Aushvici, ndër të tjera.

Kiko Argüello është gjithashtu autor i dy librave: në vitin 2012 botoi “KERIGMA, në baraka mes të varfërve” dhe në vitin 2016 “Shënime. 1988-2014”.