Me Orkestrën e Ecjes Neokatekumenale të drejtuar nga Tomáš Hanus
19 qershor 2026, në orën 19:30 në Loreto dhe 21 qershor, në orën 19:30 në Macerata
Një simfoni korale dhe një poemë simfonike për piano, kor dhe orkestër për të sjellë ndër mend dhimbjen e Virgjërës Mari nën kryq dhe mundimin e Birit të saj, Krishtit. Vuajtja e të Pafajshmëve dhe Mesia është Vepra Simfonike e Kiko Argüellos.
Një homazh i dyfishtë për Zojën e Bekuar, që kompozitori spanjoll do ta paraqesë më 19 qershor, në orën 19:30, në sheshin e Shenjtërores Papnore të Shtëpisë së Shenjtë të Loreto-s dhe më 21 qershor, në orën 19:30, në Arenën Sferisterio të Maceratës, Qyteti i Marisë dhe i apostullit të madh të Kinës, Padre Matteo Ricci.

Piktor spanjoll dhe nismetar i Ecjes Neokatekumenale së bashku me Carmen Hernández, Kiko e ka vënë në shërbim të Kishës dhe të Liturgjisë thirrjen e tij artistike: pikturën, arkitekturën e shprehur në artin e shenjtë si pasqyrim i dritës së Zotit, si edhe muzikën, gjuhë shpirtërore e fuqishme dhe misterioze, si rrugë për t’ia shpallur Ungjillin njeriut bashkëkohor.
Veprat e tij artistike, shkrimet e tij dhe dy veprat e tij simfonike janë shprehje e një estetike të re, që ka si qëllim të ndihmojë njeriun të ngrejë shpirtin e tij drejt Zotit. Muzika e tij, në mënyrë të veçantë, ngjall përjetime të thella shpirtërore, emocione që e udhëheqin njeriun drejt përmasës së misterit të bukurisë. Një vizion i artit si shprehje e bukurisë dhe si marrëdhënie dashurie ndërmjet njeriut dhe Zotit, në shërbim të Ungjillëzimit të Ri.

Vuajtja e të Pafajshmëve, Mesia: misteri i Krishtit dhe i Nënës së Tij në muzikë
Për të interpretuar veprat e tij muzikore, në vitin 2010 Kiko themeloi Orkestrën Simfonike të Ecjes Neokatekumenale. E drejtuar nga Tomáš Hanus, dirigjent kryesor i ftuar i Orkestrës Simfonike Islandeze, emër i njohur dhe prestigjioz në panoramën muzikore bashkëkohore, OSCNE është një grup misionar itinerant i përbërë nga muzikantë italianë, spanjollë dhe të kombësive të tjera, të cilët e vënë falas talentin e tyre në shërbim të shpalljes së Ungjillit.
Vuajtja e të Pafajshmëve është simfonia e parë që kompozoi Kiko: pesë lëvizje të përqendruara në dhimbjen e Virgjërës Mari, e cila ndjek Birin e saj përgjatë udhës së Kalvarit. E interpretuar për herë të parë në vitin 2011 në Tokën e Shenjtë, në Domus Galilaeae, në Malin e Lumturive (Korazim), kjo vepër ka arritur në teatrot, sallat e koncerteve, sheshet dhe katedralet më të rëndësishme të botës.
Katedralja e Madridit, Metropolitan i Nju Jorkut, Chicago Symphony Hall, Berliner Philharmoniker Hall – Berlin, Gerard Behar Auditorium – Jerusalem, Suntory Hall – Tokio, Opera Shtetërore Hungareze – Budapest, Koncerti Përkujtimor në Auschwitz (transmetuar nga Rai1), Aula Pali VI në Vatikan, Piazza Unità d’Italia – Trieste.
Pas përfundimit të simfonisë së parë, Kiko filloi të punonte mbi një partiturë të dytë, e cila do të përbënte plotësimin e një ideje muzikore në vazhdimësi me të parën. Një itinerar artistik i shpirtit të njeriut që e çoi drejt versionit përfundimtar të një poeme simfonike për piano, kor dhe orkestërMesia, një triptik mbi mundimin dhe vuajtjen e Krishtit, kushtuar martirëve.
Me Orkestrën e Ecjes dhe nën dirigjimin e Tomáš Hanus, më 19 nëntor 2023, Teatri Verdi i Triestes priti premierën botërore të «Mesias», një koncert i transmetuar nga Rai5.
Janë tre episode të Historisë së Shëlbimit të shprehura në muzikë: Akeda, Bijat e Jerusalemit dhe Mesia, luani për të fituar. Flijimi i Isakut dhe misteri i fesë së Abrahamit; fjalët e Krishtit drejtuar grave që e ndjekin në Udhën e Kryqit; fjalët poetike të Viktorinit të Petaut, martir i krishterë i shekullit IV, i cili shpall Misterin e Krishtit, «luanit» që fiton duke u bërë qengj për të vuajtur.
Vepra Simfonike është koncerti që Kiko paraqiti në Auditorium Parco della Musica Ennio Morricone në Romë, me rastin e Jubileut të Familjeve 2025. Më 1 qershor, në Sallën Santa Cecilia, një mbrëmje tërësisht kushtuar artit të kompozitorit spanjoll: ansambli i Ecjes, i drejtuar nga Tomáš Hanus, interpretoi për herë të parë, në të njëjtën mbrëmje, të gjithë korpusin simfonik të Kikos, Vuajtja e të Pafajshmëve dhe Mesia, një ngjarje e transmetuar për herë të parë në televizion nga Rai Cultura në Rai5. (Ngjarje është e disponueshme në Rai Play).
Dy koncerte mbyllën vitin 2025 dhe një i tretë hapi vitin 2026. Në një nga vendet e shenjta më mbresëlënëse të Spanjës, Kiko solli Veprën Simfonike në zemër të Andaluzisë. Më 19 tetor u zhvillua një premierë absolute mes madhështisë së La Mezquita, Xhamisë-Katedrale të Kordobës, një perlë e artit dhe e arkitekturës islame dhe të kristerë.
De përsëri në Spanjë. Më 8 dhjetor, Oviedo, kryeqyteti i Asturias, qytet që ruan në Katedralen e Shën Shëlbuesit reliken e çmuar të Qefinit të Shenjtë, hap dyert e Auditorio Príncipe Felipe për interpretimin e Veprës Simfonike.
Më 22 shkurt 2026, Vepra Simfonike u interpretua në mjedisin madhështor të Katedrales së Toledos, në një koncert të jashtëzakonshëm për të kremtuar 800-vjetorin e vendosjes së gurit të parë të këtij vendi kulti, i konsideruar ndër kryeveprat e stilit gotik.
Ngjarja, me jehonë ndërkombëtare, do të transmetohet drejtpërdrejt në streaming, të premten më 19 qershor dhe të dielën më 21 qershor, në orën 19:30, në këtë faqe zyrtare të internetit të Ecjes Neokatekumenale.







