Madridi, Kardinali Cobo Cano e udhëheq Meshën e Shenjtë me rastin e 60-vjetorit të Ecjes Neokatekumenale dhe Aktit të mbylljes së fazës dioqezane të procesit të lumturimit të shërbëtores së Zotit Carmen Hernández.

E shtunë, 30 maj, ora 20:00, kardinali José Cobo Cano, arqipëshkëvi i Madridit, udhëheq kremtimin eukaristik në katedralen e Ntra. Sra. de la Almudena, me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Ecjes Neokatekumenale. Do të bashkëkremtojnë disa ipëshkvij dhe më shumë se 100 meshtarë. Është një moment gëzimi për gjithë realitetin e Ecjes Neokatekumenale: ky itinerar i Nxënies së Krishterë, i jetuar në bashkësi të vogla dhe i shtrirë aktualisht në më shumë se 6.250 famullira të rreth 1.400 dioqezave të gjithë botës, që lindi në një nga zonat më të varfra të kryeqytetit spanjoll.

Më pas, të martën, 2 qershor, ora 20:00, në Seminarin Redemptoris Mater të Madridit do të zhvillohet Akti i mbylljes së fazës dioqezane të procesit të lumturimit dhe kanonizimit të shërbëtores së Zotit Carmen Hernández Barrera, i cili u hap në kryeqytetin spanjoll më 4 dhjetor 2022. Do ta udhëheq arqipëshkëvi i Madridit, kardinali José Cobo Cano. Në Akt do të marrë fjalën postulatori i kësaj faze dioqezane, Carlos Metola, dhe vetë Kiko Argüello, nismetari, bashkë me Carmen Hernández, i Ecjes Neokatekumenale, i cili për më shumë se 50 vjet bashkëpunoi me të në ungjillëzim. Pasi të përfundojë faza dioqezane, dokumentet do t’i dërgohen Dikasteri për Çështjet e Shenjtërve dhe procesi do të vazhdojë zhvillimin e tij në «fazën romake».

Carmen ndërroi jetë në moshën 85 vjeçare, më 19 korrik 2016 në Madrid, pas një sëmundjeje të gjatë dhe një jete të kushtuar me dorëzim të pakushtëzuar ndaj shërbimit të Ungjillit, ashtu siç e kishte dëshiruar që nga fëmijëria. Akti i 2 qershorit zhvillohet pothuajse dhjetë vjet pas vdekjes së saj dhe në vendin ku është varrosur. Deri më sot, më shumë se 118.000 persona e kanë vizituar varrin e saj dhe vazhdimisht merren favore nëpërmjet ndërmjetësimit të saj. Kontributi i Carmen Hernández ishte themelor për Ecjen Neokatekumenale, falë studimeve të saj mbi rinovimin e Koncilit II të Vatikanit. Ky kontribut u realizua në shumë aspekte: formimi i bashkësisë së vogël të krishterë, liturgjia, Pashkët, marrëdhënia me Fjalën e Zotit, duke përfshirë Beselidhjen e Vjetër, dhe burimet patristike e hebraike.

Përvoja e Ecjes Neokatekumenale dha hapat e parë konkretë në barakat e Palomeras Altas, në Madrid, ku Kiko dhe Carmen u njohën në mesin e viteve ’60.

Në të vërtetë, në nëntor 1964, kur Kiko ishte një piktor i ri, braktisi karrierën e tij dhe, duke parë në vuajtjen e të pafajshmëve misterin e Krishtit të kryqëzuar, duke ndjekur shembullin e Shën Charles de Foucauld — të jetojë jetën e fshehur të Jezusit në Nazaret — vendos të shkojë të jetojë ndër më të varfrit, në një barakë në periferi të Madridit. Rreth tij, ndërkohë që lutej, luante kitarë dhe lexonte Biblën, filluan të mblidhen pak nga pak ciganet, të margjinalizuar dhe persona të përjashtuar nga shoqëria që dëgjuan shpalljen e kerygmës.

Kur në gusht 1965, Guardia Civil arriti atje për të shembur barakat, Kiko arriti të telefononte arqipëshkëvin e Madridit, Monsinjor Casimiro Morcillo, i cili u paraqit menjëherë dhe ndaloi shembjen. Arqipëshkëv u prekë thellësisht duke parë se si të lutei atë «bashkësi» të vogël të njerëzve kaq të varfër. Kjo dashuri dhe kjo vëmendje që Carmen pa te Monsinjor Morcillo e bind të bashkëpunojë me Kikon, sepse e ndjeu se ajo bashkësi, e formuar spontanisht ndër të varfrit, ishte një vepër që vinte nga Zoti. Ishte vetë Arqipëshkëvi ai që i nxiti të sillnin këtë Nxëni të Krishterë në famullitë e Madridit; dhe kështu, në vitin 1966, filluan katekizmat në qendër të Madridit. Por ishte përvoja në baraka ajo që përfaqësoi «çerdhen» ku filloi të kuptohet ky itinerar i risbulimit të Pagëzimit, i bazuar mbi trikemben «Fjalë, Liturgji dhe Bashkësi», dhe i përjetuar, pikërisht, në një bashkësi të vogël ku realizohet dashuria ndaj të afërmit.

Lind kështu, në mesin e viteve ’60, pa skema të paracaktuara dhe në një kontekst margjinalizimi, kjo Nxënie e Krishterë për të rritur, e shtrirë sot në 138 kombe të pesë kontinenteve, me më shumë se 20.350 bashkësi. Gjatë këtyre gjashtëdhjetë viteve, qindra familje, me fëmijët e tyre, duke lënë siguritë e tyre, i kanë dhënë jetën ungjillëzimit dhe kanë bërë të mundur që shpallja e Ungjillit të arrijë deri në skajet e botës. Aktualisht, rreth 2000 familje vazhdojnë këtë vepër ndihme ndaj ipëshkvijve dhe famullitarëve, si katekistë itinerantë ose misionarë në vende shumë të varfra, ose të dërguar ad gentes në zonat më të çkrishterizuara. Ndër frutet e këtij realiteti eklesial gjenden edhe 116 Seminaret Dioqezane Misionare Redemptoris Mater, në të cilat janë formuar më shumë se 3.400 priftërinj; frutat janë edhe qindra murgësha të klausurës, si edhe shumë misionarë beqarë, burra dhe gra. Statutet e Ecjes Neokatekumenale u miratuan përfundimisht nga Selia e Shenjtë në vitin 2008 dhe Direktoriumi Kateketik në vitin 2010.

Share: