800 meshtarët e Seminareve Redemptoris Mater të Amerikës (Veriore, Qendrore dhe Jugore), së bashku me formatorët e tyre dhe katekistët itinerantë të ardhur nga kombet e tyre përkatëse, morën pjesë këtë mëngjes në Udiencën e Përgjithshme me Papa Leonin, pas kthimit të tyre nga një mision në famullitë e Italisë, duke shpallur Ungjillin pa çantë, pa para dhe pa celular.
Katekeza e Papës komentoi Kushtetutën Apostolike Sacrosanctum Concilium mbi Liturgjinë e Koncilit II të Vatikanit dhe i ftoi të krishterët ta jetojnë Eukaristinë në plotësi, me një përgatitje të përshtatshme dhe duke jetuar gjithë pasurinë e Fjalës së Hyjit, falë leksionarëve që janë përgatitur pas Koncilit. Në përfundim të audiencës, Papa iu drejtua meshtarëve me këto fjalë:
«I pres me dashuri meshtarët e Ecjes Neokatekumenale, të ardhur nga vende të ndryshme: shpresoj që ofrimi i përditshëm i flijimit eukaristik të jetë për ju një mbështetje në shërbesën tuaj në të mirë të Popullit të Hyjit».
Papa Leoni XVI
Ishin fjalë që u pritën me një duartrokitje të madhe dhe të zgjatur.



Para se të niseshin për mision, meshtarët u takuan me Kiko Argüello-n në “Tendën e Takimit” në Porto San Giorgio, i cili i inkurajoi të shkonin nga qyteti në qytet duke shpallur Krishtin:
“Kur shpallni kerigmën, shpallni se natyra hyjnore e treguar në Krishtin është se Hyji e do njeriun – edhe nëse ai është i keq – e do atë dhe dëshiron të bëhet pjesë e tij. Nëse ky person i beson kësaj përmes një mrekullie hyjnore, Hyji mund të banojë në të! Hyji dëshiron të jetë brenda tij, por nuk mund ta bëjë këtë pa lirinë e atij personi dhe e vetmja mënyrë është t’ia kërkojë. Prandaj Ai ka dashur ta shpëtojë botën përmes marrëzisë së Predikimit, të kerigmës. Nuk ka asgjë më të madhe se të shpallësh Ungjillin dhe prandaj themi me Shën Palin: “I mjerë unë nëse nuk predikoj Ungjillin!”
Duke komentuar fjalët e Jezu Krishtit kur dërgoi apostujt dy nga dy për të shpallur Mbretërinë e Hyjit: “Kushdo që ju pranon, më pranon mua”, Kiko u kujtoi meshtarëve fillimet e Ecjes: “Është Hyji që i bën gjërat, është Hyji që deshi që dikush të na priste, që e çoi Arqipeshkvin e Madridit, Imzot Casimiro Morcillo-n, te Barakat dhe më pas na çoi në famulli. Është Hyji që e udhëhoqi At Dino Torregian-in – themeluesin e Shërbëtorëve të Kishës – për të dëgjuar katekezën në Avilë, për të na ftuar të vinim të predikonim në Romë.”
Përballë shkurajimit të shumë meshtarëve, për shkak të krizës së fesë, të famullive pothuajse bosh dhe të mungesës së thirrjeve, Kiko u tha atyre: “Do të dëshironim ta çonim këtë erë të re, këtë karizëm për Nismën e Krishterë, në të gjithë Kishën e Italisë. Një dhuratë e Shpirtit të Shenjtë për Kishën për ta ndihmuar atë. Shumë meshtarë të shenjtë sot vuajnë nga çkrishterizimi që po përjetohet aktualisht.”



Asnjë çantë, asnjë lek… Dhe pa celular. Sikur Shën Françesku i Asizit, Shën Dominiku i Guzmanit, Shën Injaci i Loyolës dhe shumë shenjtër të tjerë të ishin ngritur dhe të kishin ecur përsëri duke shpallur Ungjillin. Ipeshkvijtë dhe famullitarët kanë ardhur për vizitë si shenjë dashamirësie dhe dashurie për Kishën.
Duke i ftuar të ecnin me Biblën dhe Rruzaren, Kiko u kujtoi atyre se “Shën Luigji Grignon de Monfort profetizoi se në kohët e fundit një legjion ungjillëzuesish do të ecte me shpatën me dy tehe në dorë: në të majtë Biblën dhe në të djathtë Rruzaren, dhe do të përshkonin rrugët e Evropës. Shën Luigji Grignon de Montfort ishte një itinerant që predikoi Ungjillin në të gjithë jugun e Francës, i dashuruar pas Zojës së Bekuar. Edhe ju do të niseni, duke ecur me Biblën dhe Rruzaren, duke ungjillëzuar në Itali.








Të gjithë u kthyen të lumtur nga misioni, pasi kishin parë mrekulli që as nuk mund t’i imagjinonin dhe kishin ngushëlluar shumë famullitarë që i kishin pritur. Pasi morën pjesë në Udiencën e Papës, meshtarët e kurorëzuan këtë ditë misioni me një Eukaristi ngazëlluese në altarin e Katedrës në Bazilikën e Shën Pjetrit. Më pas u kthyen në Qendrën Neokatekumenale të Porto San Giorgio-s, ku vazhduan të jetonin së bashku me Kiko Argüello-n deri të dielën; por para se të ktheheshin në famullitë e tyre në kombet e ndryshme të Amerikës, vizituan Shtëpinë e Shenjtë të Loretos, ku kremtuan Eukaristinë dhe ia besuan misionin e tyre Virgjërës së Bekuar Mari.







