Nga Vatican News

Me rastin e Jubileut të Familjeve, u interpretuan për herë të parë së bashku mbrëmjen e 1 qershorit 2025, në Auditoriumin “Parco della Musica” në Romë, dy simfonitë e nismëtarit të Ecjes Neokatekumenale. Mons. Fisichella: një simfoni e tillë na ka mësuar se nuk jemi spektatorë, por pjesëmarrës.

Debora Donnini – Qyteti i Vatikanit

Një muzikë që të zhyt në vuajtjen e Krishtit dhe të Virgjërës Mari në këmbët e Kryqit, dhe njëkohësisht lë në zemër sigurinë e Ringjalljes. Është e fuqishme dhe e menjëhershme përfshirja personale gjatë dëgjimit të veprës simfonike të Kiko Argüellos, artist spanjoll dhe nismëtar i Ecjes Neokatekumenale së bashku me shërbëtoren e Zotit Carmen Hernández. Një përfshirje e përlotur, e shprehur jo vetëm përmes duartrokitjeve të shpeshta, por sidomos në pjesëmarrjen e publikut në këndimin e korit në një moment të caktuar.

Në Auditoriumin “Parco della Musica” në Romë, për herë të parë u interpretuan së bashku dy veprat simfonike të Kikos: “Vuajtja e të Pafajshmëve”, kushtuar dhimbjes së Nënës së Krishtit, dhe “Mesia”, në nder të martirëve të sotëm. Orkestrën e Ecjes Neokatekumenale të përbërë nga 100 muzikantë – instrumentistë dhe një pianist, Claudio Carbó – dhe nga 120 këngëtarë kori, e drejtoi Tomáš Hanus, dirigjent i Orkestrës Simfonike Islandeze.

Ngjarja u zhvillua në kuadër të Jubileut të Familjeve dhe reflektimi i autorit të veprës simfonike, Kiko Argüello, në hyrje të pjesës së parë, fillon pikërisht nga kjo realitet: në Perëndim – thekson ai – vetmia po bëhet sëmundja kryesore. Në një botë të shënuar nga divorcet, aborti dhe eutanazia, “Zoti thërret familjet e krishtera, në shëmbëlltyrën e Familjes së Nazaretit, për të sjellë Krishtin te njerëzit”. “Nga familjet lind e ardhmja e popujve”, kishte theksuar Papa Leoni XIV në homelinë e Meshës në mëngjesin e së dielës, 1 qershor. Kiko përsërit këto fjalë të Papës, të cilat u pritën me një duartrokitje të ngrohtë nga të pranishmit.

Më pas, ai kujton frymëzimin e marrë nga Virgjëra Mari: “Duhet të bëhen bashkësi të krishtera si Familja e Shenjtë e Nazaretit, që jetojnë në përvujtëri, thjeshtësi dhe lavdërim ndaj Hyjit: tjetri është Krishti”. Ecja Neokatekumenale lind si një nxënie e krishterë për të rizbuluar pasurinë e Pagëzimit, që bëhet e pranishem, ne një bashkësie, dashuria e ndërsjellë. “Duajeni njëri-tjetrin siç ju kam dashur unë; në këtë dashuri të gjithë do të dinë se jeni nxënës të mi”, domethënë që jeni të krishterë. Kjo – thekson Kiko – është misioni i familjeve të krishtera, një mision eskatologjik: të tregohet botës se ekziston dashuria.

Vuajtja e të Pafajshmëve

Simfonia e parë lind pikërisht nga përvoja që Kiko përjetoi në mesin e viteve ’60, kur shkoi të jetonte mes të varfërve në barakat e Madridit, i prekur nga vuajtja e shumë të pafajshmëve dhe kuptoi se e vetmja përgjigje e vërtetë ndaj vuajtjes është Zoti Jezu Krisht.

Kjo vepër u ekzekutua për herë të parë në vitin 2011 në Tokën e Shenjtë, në Domus Galilaeae, mbi Malin e Lumturive, dhe më pas në teatrot më të mëdha, sallat e koncerteve, sheshet dhe katedralet në mbarë botën: nga Katedralja e Madridit te Metropolitan në Nju Jork, nga Suntory Hall në Tokio te Gerard Behar Auditorium në Jeruzalem, deri në Sallën Pali VI në Vatikan, për të përmendur vetëm disa vende.

Pesë janë lëvizjet që e përbëjnë këtë vepër dhe secila theksohet nga tingujt karakteristikë të instrumenteve: “Gjetsemani” ku daullja kujton se Juda po afrohet. Pastaj “Kënga e vajtimit” me harpën, “Fali ata” dhe “Shpata” që i referohet dhimbjes së Virgjëreshës Mari, gjatë së cilës e gjithë salla ngrihet në këmbë dhe bashkë me korin këndon “Mari, Nëna e Hyjit”. Pjesa përfundimtare është “Resurrexit” – “U ngjall”.

Mesia

Pas ekzekutimit të veprës së parë, Kiko prezanton të dytën, El Mesías, e cila u interpretua premierë në vitin 2023 në Teatrin Verdi të Triestes dhe është e përqendruar në Mundimin dhe vuajtjen e Krishtit, kushtuar martirëve të sotëm. “Ne të krishterët – thekson Kiko – e mbajmë gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Krishtit, sepse jemi edukuar të shtrijmë duart në kryq: në martesë, në punë, me fëmijët, me gjyshërit, me bashkësinë, me të gjithë. Duke mbajtur gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Jezusit, në mënyrë që të duket se Krishti është i gjallë në ne!”. Kiko kujton se “i krishteri është i thirrur të dojë sipas përmasës së Kryqit, dashurinë për armikun”.

Tre pjesët e poemës nënvizojnë pikërisht këtë. Lëvizja e parë quhet Akedà dhe i referohet figurës së Isakut që, sipas traditës hebraike, i kërkon babait të tij Abraham që ta lidhë në mënyrë që të mos rebelohet ndaj flijimit. Pastaj vjen Bijat e Jeruzalemit, që kujton fjalët, sipas ungjilltarit Luka, që Jezusi u thotë grave që e shikojnë ndersa ai kalon nëpër qytet pas fruskullimit; dhe, për të theksuar dramaticitetin e momentit, Kiko i referohet kompozitorit të Rilindjes spanjolle Tomás Luis de Victoria.

Lëvizja e fundit e frymëzuar nga një shprehje e martirit të shekullit IV, Vittorino i Pettaut: “Mesia, luani për të fituar, u bë qengj për të vuajtur”, sepse – thekson Kiko – “të gjithë duhet të mësojmë të jemi qengja për të vuajtur”, të thirrur për të dëshmuar Dashurinë e Krishtit, që fiton mbi Vdekjen. I shtohet gjithashtu një shprehje e Shën Quodvultdeus-it, ipeshkëv i Kartagjenës i shekullit V, i cili thotë: “U ngjit mbi dru për të qenë dhëndër, për të vdekur. Dhe e la gjakun e tij si pajë për Nusen e tij e Virgjër”.

Bëhet fjalë pra për dashurinë “që Krishti e vendos në secilin prej nesh përmes Shpirtit të tij të Shenjt”. Kori e përmbyll me një këngë fitoreje, një ngazëllim gëzimi, me Alelujën e Pashkës.

Fisichella: një simfoni që sjell në veprim

Ngjarja është organizuar nga Assunta Cannatà. Të pranishëm përkrah Kiko Argüellos, Padre Mario Pezzit dhe Ascensión Romeros, anëtarë të ekipit ndërkombëtar të Ecjes Neokatekumenale, ishte edhe Kryeipeshkvi Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin, Seksioni për çështjet themelore të ungjillëzimit në botë.

“Kjo simfoni – thotë Monsinjor Fisichella për mediat vatikanase – para së gjithash shpreh gjenialitetin e Kikos dhe shumëanësinë e tij: kalon nga piktura në muzikë me një lehtësi të pabesueshme, duke e ditur mirë se po bën një vepër ungjillëzimi. Besoj se ky është elementi që duhet theksuar. Në ungjillizim, ecja e bukurisë – muzika, arti, letërsia – janë të gjitha shprehje të privilegjuara për të shpallur Ungjillin, që është shpallje e Misterit të Vdekjes dhe Ngjalljes së Jezusit.”

Kryeipeshkvi kujton se “pa dyshim, fillimi i simfonisë duhet të shprehë Gjetsemanin, heshtjen e vuajtjes”, por nga ana tjetër është edhe gëzimi përfundimtar i Ngjalljes, “shpallja e lavdisë”. “Prandaj – nënvizon ai – edhe një herë, me një simfoni të këtij lloji, na mësoi se nuk jemi spektatorë, por pjesëmarrës. Fakti që gjithë salla të jet e ftuar që të ngrihet në këmbë dhe të bashkojë zërin me atë të korit, më kujtonte Simfoninë e Nëntë të Beethoven-it, ku për herë të parë në një orkestër u vendos një kor. Këtu Kiko nuk përfshin vetëm korin, por gjithë sallën. Ajo që po përjetojmë është një simfoni ku ka veprim, dramë, përfshirje të atyre që marrin pjesë, nuk ka ndjesi izolimi, por pjesëmarrje brenda këtij shpalljeje që po bëhet.”

Qendrore është gjithashtu fakti që kjo Vepër interpretohet gjatë Jubileut të familjes. Imzot Fisichella flet për të duke kujtuar fjalët e Leonit XIV me këtë rast. Ai thekson gjithashtu se “sidomos në Perëndim po përjetojmë krizën e familjes”. “Në një shoqëri ku mbizotëron teknologjia, nëse familja nuk e rifiton vendin e saj, nëse nuk është qeliza themelore, simbol i një realiteti ku secili ndihet i pranuar, ku askush nuk ndihet vetëm, atëherë duhet të përfundojmë se nuk kemi përpara një rrugë përparimi, por të një hap mbrapa”. “Kisha – pohon ai – duhet të bëjë gjithçka për të ushtruar rolin e saj profetik ndaj familjes”, duke e vendosur atë në qendër të veprimtarisë së saj baritore dhe duke ia bërë të kuptueshme botës, shoqërisë dhe kulturës, se nëse familja përjashtohet, nuk ka një drejtim të vërtetë ku mund të shkohet; “ka më tepër një përqendrim në vetvete, një përkulje ndaj teknologjisë, por pa familjen mungon ajo përmasë e thellë e njerëzimit, për të cilën njeriu i sotëm ka nevojë thelbësore”.

Ouellet: qetësi dhe shpresë në këtë muzikë

Nga ana e tij, kardinali Marc Ouellet, prefekt emeritus i Dikasterit për Ipeshkvijtë, thekson se pjesa e parë e Veprës simfonike “flet për dinjitetin e vuajtjes”. “Më prek – thotë për mediat e Vatikanit – qetësia dhe shpresa që ndodhet në këtë muzikë, aty ndihet fitorja e të Ngjallurit”: trajton një temë shumë të trishtuar, “por muzika nuk është e trishtuar, edhe në momentet kur ka vajtim, është si të ishte e mbështjellë me një melodi harmonike, dhe kjo më prek shumë, personalisht”. Për pjesën e dytë kujton se temat janë të ndryshme: “të bën të reflektosh më shumë mbi mëkatin, mbi dëshminë tonë të pakët, por gjithnjë e gjitha kjo përshkohet nga dhurata e të Kryqëzuarit. Kjo ndjehet se është dominuese”.

Në përgjithësi “muzika më ka lënë përshtypje për përmasën hebraike, spanjolle; ka si një përzierje ritmesh dhe melodish, që është një sintezë shumë e bukur dhe e thellë… E kuptoj se hebrenjtë janë ndjerë të kuptuar”, vëren kardinali, sepse në vende të ndryshme të botës ku është interpretuar kjo vepër, kanë ardhur për ta dëgjuar edhe shumë rabinë. Lidhur me familjen, ai thekson se “forca e karizmës së Neokatekumenatit është familja” dhe se “misioni i Kishës duhet të kalojë përmes familjes”.

Një simfoni, pra, që me përmasat e saj të ndryshme, kateketike dhe artistike, përkthehet, duke prekur më parë zemrën në mënyrë personale, në një udhë ungjillëzimi.

Share: