Nga In Terris

Orkestra Simfonike e Ecjes Neokatekumenale u paraqit në Romë, në Auditoriumin Parco della Musica përpara një salle plot besimtarë dhe në praninë e imzot Rino Fisichella, prefekt i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri. Një koncert kushtuar vuajtjes së të pafajshmëve dhe flijimit shpëtimtar të Mesiasit.

nga Miguel Cuartero Samperi

Me rastin e Jubileut të Familjeve, u mbajt në Romë, në sallën Santa Cecilia të Auditorium Parco della Musica, një koncert i veçantë i interpretuar nga Orkestra Simfonike e Ecjes Neokatekumenale. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kardinali kanadez Sh. E. Marc Ouellet, Prefekt emeritus i Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe President emeritus i Komisionit Papnor për Amerikën Latine, imzot Rino Fisichella, president i Dikasterit për Ungjillëzimin e Ri dhe përgjegjës për ngjarjet e jubileut, si edhe imzot Giampaolo Crepaldi, ipeshkëv emeritus i Triestes. Të pranishëm ishin bashkësitë e Romës dhe të Lazios, meshtarë dhe seminaristë të Seminareve Redemptoris Mater në Itali dhe grupe pelegrinësh nga Spanja, Panamaja dhe Brazili.

Një orkestër në shërbim të Ungjillëzimit të Ri

Orkestra Simfonike e Ecjes Neokatekumenale (OSENK) u themelua nga Kiko Argüello në vitin 2010 dhe përbëhet nga 180 muzikantë të kombësive të ndryshme që ofrojnë profesionalizmin e tyre në shërbim të Ungjillëzimit të Ri. Orkestra ka për qëllim të përcjellë mesazhin ungjillor përmes bukurisë dhe harmonisë së muzikës. Ky bashkim mes ungjillëzimit dhe artit, të cilin Ecja, përmes nismëtarit të saj, e ka ndjekur gjithmonë (mjafton të mendohet për veprat piktorike dhe për “estetikën e re” të propozuar në seminare, në katekumenium dhe në Domus Galilaeae, qendër shpirtërore që ndodhet në Malin e Lumturive, në Galile). Dirigjenti i Orkestrës është Tomáš Hanus nga Republika Çeke, i cili ka drejtuar koncerte në teatro të ndryshme në mbarë botën dhe që nga viti 2025/2026 do të jetë dirigjent i ftuar kryesor i Orkestrës Simfonike të Islandës. Hanus është baba i tetë fëmijëve dhe është gjithashtu pjesë e Ecjes Neokatekumenale.

Që nga viti 2010, orkestra është paraqitur në teatro të shumtë në botë. Duke filluar nga Aula Nervi kur interpretoi përpara Papa Benediktit XVI, OSENK ka qenë në Jeruzalem, Paris, Madrid, New York, Boston, Krakovë, Tokio dhe Budapest, për të përmendur disa nga vendet më të rëndësishme. Prekëse ishte edhe paraqitja në vitin 2013 në Auschwitz, në kampin e përqendrimit, për të përkujtuar viktimat e nazifashizmit që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vuajtja e të pafajshmëve dhe martirët e sotëm

Pikërisht të vuajturve, dhe në mënyrë të veçantë vuajtjes së Virgjëres Mari nën Kryqit, Kiko Argüello, nismëtar së bashku me Carmen Hernández i Ecjes, i ka kushtuar veprën e tij “Vuajtja e të pafajshmëve”. Simfonia është e ndarë në pesë pjesë dhe përfaqëson “një meditacion të thellë mbi misterin e vdekjes së Jezusit dhe mbi dhimbjen e thellë të Nënës së tij”.

Pjesa e fundit, Resurrexit, është përgjigjja ndaj dhimbjes dhe vajtimit të pjesës së parë, duke shpallur ngjalljen e Krishtit. Pas simfonisë Vuajtja e të pafajshmëve, vijon një simfoni e dytë me titull El Mesías, e cila paraqet një përgjigje ndaj skandalit të vuajtjes dhe që – siç ka thënë Kiko – i kushtohet të gjithë martirëve që në ditët tona përfaqësojnë imazhin e Krishtit, qengji i prerë që jep jetën për shpëtimin e botës.

Një “poemë simfonike për piano, kor dhe orkestër; një triptik mbi pasionin dhe vuajtjen e Krishtit, tre episode të historisë së Shpëtimit në muzikë”: flijimi i Isakut, ngjitja në Kalvar dhe flijimi i Krishtit. Vepra El Mesías u prezantua për herë të parë në Trieste në vitin 2023; në Romë, për herë të parë, Orkestra i paraqiti të dyja veprat në një mbrëmje të vetme.

Kiko: “Vetmia po bëhet sëmundja kryesore e Perëndimit”

Në përshëndetjen hyrëse, Kiko Argüello, i shoqëruar nga Ascensión Romero dhe Padre Mario Pezzi, prezantoi ngjarjen dhe foli për rëndësinë e familjes në shoqërinë e sotme, duke përmendur tre Papët e fundit. Kiko theksoi se një nga frytet e Ecjes është prania e shumë familjeve të mëdha që janë një shenjë dhe një dëshmi e Ungjillit në një shoqëri që ka mohuar rrënjët e saj të krishtera.

“Me rastin e Jubileut të Familjeve, jam i lumtur t’i falënderoj Zotin për kaq shumë familje të mëdha, plot gëzim dhe jetë në Ecjen Neokatekumenale. Ato përfaqësojnë një dritë shprese në këtë shoqëri që, duke hequr dorë nga rrënjët judeo-të krishtera, është mbyllur ndaj jetës, duke na çuar drejt dimrit demografik, siç thoshte Papa Françesku. Sot familja përbën një problem tragjik […]. Në të vërtetë, familja po shkatërrohet në gjithë botën. Martesa shkatërrohet me miratimin e divorcit, hapja ndaj jetës shkatërrohet nëpërmjet abortit, pleqtë përmes eutanazisë. Papa Gjon Pali II ka thënë disa herë: ‘Ajo që dikur ishte mëkat, sot ka fituar të drejtë qytetarie’. Por dashuria e Zotit është më e madhe se mëkati ynë. Kurorëshkelje dhe divorci shkatërrojnë familjet dhe fëmijët vuajnë pasojat; rritet numri i të moshuarve të vetmuar; e ardhmja e njerëzimit varet nga familja – ka thënë Papa Leone XIV.”

Është e sigurt sepse në familjen e krishterë, ku lindin dhe formohen fëmijët, Virgjëra Mari i tha Birit të saj: “Nuk kanë më verë”. Ashtu na ka thënë edhe neve: njerëzit kanë nevojë të jetojnë fenë e tyre në një bashkësi, sepse janë vetëm. Vetmia po bëhet sëmundja kryesore e Perëndimit dhe po shfaqet si një formë e re varfërie. […] Dhe tani, duke parë atë që po ndodh në Evropë dhe në gjithë botën, e kuptojmë se është një hir i madh ajo për çka Zoti e ka thirrur Ecjen Neokatekumenale: të bëhët e pranishem në një bashkësi dashuria e ndërsjellë: “Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju kam dashur unë; nga kjo dashuri të gjithë do ta dinë se jeni nxënës të mi” (Gjn 15). Kjo është misioni i familjes së krishterë, një mision eskatologjik: të tregojë botës se dashuria ekziston.”

Ecja Neokatekumenale Jubileu i Familjeve Vepra e Kiko Arguallos në Auditoriumin Parco della Musica - Salla Shenjtja Çeçilia - Roma më 1 qershor 2025
Fotografi: Tomasz Marynowski
Misioni i familjes së krishterë sot: “ta çojë Krishtin tek njerëzit”

Familja e krishterë – ka thënë Kiko – ka misionin ta çojë Jezu Krishtin në botë. Dëshmia e shumë familjeve të hapura ndaj jetës është një shenjë e Ngjalljes së Krishtit që kapërcen barrierat e egoizmit dhe të vdekjes. “Në solemnitetin e Ngjitjes në Qiell mund t’i bëjmë vetes pyetjen: ‘Si t’ia hapim qiellin kësaj breznie që ka braktisur Zotin, dhe njeriut të sekularizuar që nuk shkon më në Kishë?’ Sot kur askush nuk dëshiron të ketë as familje as fëmijë, një çift bashkëshortësh të hapur ndaj jetës është një shenjë që shpall ngjalljen, fuqia e së cilës thyen barrierën e egoizmit që e rrethon njeriun. Për këtë arsye, një çift me shumë fëmijë është diçka që të habit. Ata përbëjnë një shpallje të fesë, një shpallje të Jetës së Përjetshme. Zoti i thërret familjet e krishtera, sipas shëmbëlltyrës së Familjes së Nazaretit, për t’ua sjellë njerëzve Jezu Krishtin.”

Share: