Carmen Hernández

Carmen Hernández

Carmen Hernández

24 nëntor 1930, † Madrid, 19 korrik 2016

Carmen, së bashku me Kikon, ishte iniciatore e Ecjes. Ajo lindi në Ólvega (Soria, Spanjë) më 24 nëntor 1930, si fëmija e pestë nga nëntë vëllezër e motra – katër djem dhe pesë vajza – dhe kaloi fëmijërinë e saj në Tudela (Navarra, Spanjë).

Në Tudela, ajo studioi në Shkollën e Shoqërisë së Marisë dhe pati kontakte me Shoqërinë e Jezusit (Jezuitët). E frymëzuar nga shpirti misionar i Shën Françesk Saverit, që në moshë shumë të re ndjeu thirrjen për të shkuar si misionare në Indi. Me dëshirën e babait të saj, në vitin 1948 filloi të studiojë Kimi në Madrid, ku u diplomua me rezultate maksimale në vitin 1954.

Për një periudhë të caktuar, ajo punoi me të atin në industrinë ushqimore, në një fabrikë që familja e saj menaxhonte në Andújar (Jaén), por vendosi ta linte punën për t’u transferuar në Javier (Navarra), ku u bë pjesë e një instituti të ri misionar: Misionaret e Krishtit Jezus. Pas noviciatit, ajo studioi Teologji në shtëpinë e formimit teologjik për rregulltarët në Valencia. Në vitin 1960, ajo u caktua për mision në Indi. Për këtë mision duhej të përgatitej në Londër (në atë kohë India ishte pjesë e Commonwealth-it), ku qëndroi për një vit. Gjatë kësaj kohe, pati një ndryshim në ekipin drejtues të Misionareve të Krishtit Jezus, i cili kufizoi hapjen e tyre ndaj misionit; prandaj, Carmen u kthye nga Londra në Barcelonë. Atje njohu atin Pedro Farnes Scherer, i cili sapo kishte përfunduar studimet në Institutin e Liturgjisë në Paris, pak para Koncilit II të Vatikanit, dhe që më vonë mori pjesë aktivisht në Consilium për zbatimin e tij.

Në mësimet e tij, At Farnés prezantonte burimet pashkvnore të Eukaristisë dhe një ekleziologji të rinovuar që e paraqiste Kishën si dritë të kombeve. Kontakti i gjallë i Carmenit me autorët e këtij rinovimi konciliar do të kishte një ndikim të madh, më vonë, në formimin e katekisteve të Ecjes Neokatekumenale.

Ndërmjet viteve 1963 dhe 1964, Carmen kaloi një vit duke përshkuar Tokën e Shenjtë me Biblën e saj, duke vizituar vendet e shenjta. Pas kthimit të saj në Madrid, filloi të punojë në barakat e periferisë, duke menduar të shkonte si misionare në Bolivi me laikë të tjerë beqarë. Megjithatë, atje njohu Kiko Argüellon, i cili jetonte në barakat e Palomeras Altas, dhe vendosi të qëndronte në të njëjtën zonë. Mes të varfërve, të dy zbuluan forcën e Misterit Pashkvor dhe të predikimit të Kerigmës (Lajmi i Mirë i Krishtit të vdekur dhe të ngjallur) dhe panë lindjen e bashkësisë së parë. Falë miratimit të këtij realiteti të ri nga arkipeshkvi i atëhershëm i Madridit, Mons. Casimiro Morcillo, Carmen bashkëpunoi me Kikon duke e çuar këtë vepër të rinovimit të Kishës në famulli – fillimisht në Madrid, më pas në Romë dhe që nga atëherë në qytete dhe kombe të tjera.

Carmen Hernández vdiq më 19 korrik 2016 në Madrid. Gjatë funeralit të saj, i udhëhequr nga Kardinali i Madridit, Mons. Carlos Osoro Sierra, dhe ku morën pjesë mijëra njerëz, At Mario Pezzi theksoi se me Ecjen është “hera e parë në histori që një realitet kishtar themelohet nga një burrë dhe një grua, të cilët kanë bashkëpunuar vazhdimisht dhe kanë qëndruar së bashku për më shumë se 50 vjet.” Papa dërgoi një mesazh në të cilin shprehet se e priti “me emocion” lajmin për vdekjen e Carmen dhe vuri në dukje tek ajo “një përvojë të gjatë të shënuar nga dashuria e saj për Jezusin dhe nga një entuziazëm i madh misionar”. “I falënderoj Zotit për dëshminë e kësaj gruaje, e shtyrë nga një dashuri e sinqertë për Kishën, që e ka shpenzuar jetën e saj në shpalljen e Lajmit të Mirë kudo, madje edhe në vendet më të largëta, pa harruar njerëzit më të përjashtuar,” shkroi gjithashtu Papa Françesku.