Dyqind e pesëdhjetë Arqipeshkvij dhe Ipeshkvij nga pesë kontinentet, të shoqëruar nga misionarë itinerantë, meshtarë dhe laikë, përgjegjës të Ecjes Neokatekumenale në dioqezat e tyre (për një numër total prej më shumë se 500 vëllezërish), janë ftuar nga ekipi ndërkombëtar përgjegjës i Ecjes – Kiko Argüello, Padre Mario Pezzi dhe Ascensión Romero – në një takim në Tokën e Shenjtë.

Ftesa për në Tokën e Shenjtë ishte konfirmuar nga letra e Fortlumturisë së Tij, Kardinal Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruzalemit, i cili megjithatë nuk ka mundur të jetë i pranishëm, për shkak të pjesëmarrjes në mbledhjet e Kardinalëve dhe në funeralin e Atit të Shenjtë. Pjesëmarrësit, të mbërritur në Tokën e Shenjtë të hënën e Pashkës, janë befasuar nga lajmi i kalimit në amshim të Papa Françeskut. Dhe ishte pikërisht ky lajm pika e parë e bashkimit mes të gjithëve: lutja për shpirtin e Papa Françeskut dhe për konklavën e ardhshme të kardinalëve.

Takimi ka nisur në Domus Galilaeae, në Malin e Lumturive, ku Ipeshkvijtë kanë pasur mundësinë të jetojnë një ditë bashkësie dhe lutjeje, duke vizituar vendet e shenjta përreth Liqenit të Tiberiadës: Korazim, Kafarnao, Tabgha, Primati i Pjetrit… dhe duke fituar indulgjencën e plotë në Nazaret.

Gjatë bashkëtesës, Kiko Argüello, nismetar i Ecjes Neokatekumenale së bashku me shërbëtoren e Zotit Carmen Hernández, u ka bërë të njohura ipeshkvijve disa aspekte të nxënies së krishtere që Ecja u ofron Dioqezave, duke shpjeguar disa çelësa kateketikë-kerigmatikë, që janë në themel të këtij itinerari të besimit.

Ipeshkvijtë kanë pasur mundësinë të reflektojnë, sipas grupeve gjuhësore, mbi sfidat e mëdha që koha e sotme i paraqet veçanërisht Kishës së ditëve tona, duke theksuar para së gjithash krizën e familjes, me pasojat e pashmangshme të mungesës së fëmijëve, vetminë, braktisjen e të moshuarve… Duke ardhur ipeshkvij nga shumë kombe, dialogu ka qenë një pasuri e madhe për të gjithë pjesëmarrësit, duke ndarë si vuajtjet e kishave bosh, ashtu edhe ato të kishave të përndjekura për shkak të mungesës së lirisë ose për dhunën ekstremiste. Ipeshkvijtë e kanë vlerësuar shumë pozitivisht përgjigjen që jep Ecja bazuar në përvojën e saj prej 60 vitesh ungjillëzimi.

Takimi ka vijuar më pas me dy ditë pelegrinazh në Jeruzalem. Kardinalët dhe disa Presidentë të Konferencave Ipeshkvnore, së bashku me disa Ipeshkvij nga Argjentina, të cilët kishin mbërritur tashmë në Tokën e Shenjtë për këtë takim, duhej të nisen për në Romë për të marrë pjesë në varrimin e Atit të Shenjtë. Të gjithë të tjerët kanë patur mundësin të ndjekin me emocione liturgjinë e varrimit në një ekran të madh të vendosur në një sallë të gjerë të Domus Betaniae, një strukturë që ofron priftërinjve dhe laikëve një kohë formimi dhe zhytjeje në vendet biblike.

Pontifical Institute Notre Dame of Jerusalem Center, është mbajtur takimi me Mons. Adolfo Tito Yllana, Nunci Apostolik në Izrael, dhe me Kryetarin e Bashkisë së Jeruzalemit, Moshe Lion. Ata kanë theksuar se rikthimi i pelegrinëve të krishterë është thelbësor dhe se prania e kaq shumë ipeshkvijve, të cilët përjetuan pelegrinazhin në qetësi të plotë, do të mund të japë një kontribut të madh në këtë rikthim.

Nunci Apostolik, përveçse ka theksuar rëndësinë e Ecjes Neokatekumenale në Kishë, ka shprehur dëshirën për paqe për Jeruzalemin, si shpresë për gjithë botën. Kryetari i Bashkisë së Jeruzalemit, pasi ka shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për kalimin në amshim të Papa Françeskut, ka drejtuar një përshëndetje të ngrohtë mirëseardhjeje për të pranishmit.

Së fundi, Kiko Argüello ka drejtuar një fjalë falënderimi për autoritetet civile, për Nuncin Apostolik dhe për kaq shumë ipeshkvij që morën pjesë në takim, duke e mbyllur me një këngë nga profeti Isaia: “Unë vij për të mbledhur të gjitha kombet; do të vijnë dhe do të shohin lavdinë time.” Një profeci që bëhej realitet duke parë gëzimin e gjithë këtyre ipeshkvijve të ardhur nga 5 kontinentet.

Bashkëtesa u përmbyll me vizitën në Cenakull – ndoshta momenti më prekës për shumë ipeshkvij – dhe përfundoi me vizitën e Ipeshkvijve në Varrezën e Shenjtë dhe pastaj në Bazilikën e Lindjes në Betlehem, duke fituar sërish faljen e plotë (indulgjencën plenare). Kemi pasur mundësi të vërejmë tek shumë prej ipeshkvijve pjesëmarrës një ndjenjë të gjallë mirënjohjeje për përvojën unike që patën mundësinë të jetojnë.


Shikoni fotografi të tjera…

Ecja Neokatekumenale Bashkëtesa e ipeshkvijve në Domus Galilaeae 2025 22–27 prill

Share: